Tifozët racistë hodhën banane ndaj lojtarëve me ngjyrë, trajneri anglez jep dorëheqjen

Që një trajner të largohet nga një pankinë është gjëja më normale në botë, por që ai të heqë dorë nga detyra pasi sjellja e tifozëve të skuadrës së tij bie ndeshn me parimet që ka, kjo ndodh rrallë.

Bëhet fjalë për teknikun britanik të CSKA-së së Sofjes, Alan Pardew, i cili largohet nga stoli i skuadrës bullgare për shkak të gjesteve raciste të tifozëve.

Bashkë me të la detyrën edhe zëvendësi i tij me ngjyrë Alex Dyer. Vendimin e mori pas ngjarjeve të 19 majit kur 4 ditë pas humbjes në finalen e Kupës kundër Levskit, tifozët shënjestruan me gjeste raciste 4 lojtarë të skuadrës duke hedhur ndaj tyre edhe banane.

Fillimisht lojtarët refuzuan të zbrisnin në fushë por më pas edhe pse luajtën, kjo ngjarje e turbulloi jo pak anglezin.

“Ajo që ndodhi në ndeshjen me Plovdiv është e papranueshme, jo vetëm për mua por për të gjithë skuadrën. Unë nuk dua të stërvis një skuadër ku një grup i vogël tifozësh të tillë bëjnë pjesë. CSKA meriton shumë më shumë. Për fat të keq duhet t’i jap fund qëndrimit tim këtu”, theksoi Pardew.