Berisha homazh për nder të Bujar Nishanit: Shqipëria humbi njeriun që i dha dinjitet presidencës
Në Presidencë sot e nesër do të mbahen homazhet për nder të ish presidentit Bujar Nishani i cili u nda nga jeta më 28 maj 2022 në një një spital në Gjermani ku po kurohej pas komplikacioneve shëndetësore që i la Covid-19
Sot është radha e miqve dhe e familjarëve për të bërë homazhe, ndërsa nesër qytetarët do të kenë mundësi t’i japin lamtumirën Presidentit nga ora 10 deri në 12, para se të përcillet për në banesën e fundit.
Si një mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Nishanit, edhe ish kryeministri Sali Berisha ishte sot në presidencë për të bërë homazh dhe për të shprehur nderimin dhe pikëllimin e tij për humbjen e një personaliteti të shoqërisë shqiptare si Bujar Nishani.
“Isha për të shprehur nderimin dhe pikëllimin tim më të madh. Për të ndarë me Odetën dhe fëmijëve zinë e kësaj gjëme të mëdha që u ka rënë atyre por dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që kanë patur tek Bujar Nishani një qytetar shembullor. Familja një prind I shkëlqyer, bashkëshort e baba fisnik. Shteti shqiptar pati një nga shtetarët më dinjitozë në historinë e tij. Shoqëria pati një nga shërbëtorët më të përkushtuar të tyre. Bujar Nishani në dekada ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar me të cilin më lidhi jo vetëm bashkëpunimi i ngushtë por dhe miqësi e përsosur që nuk njohu ndonjëherë asnjëlloj, rënie, përkundrazi, erdhi gjithnjë duke u forcuar”
Berisha tha më tej se shqiptarët "humbën sot ish kreun e shtetit që i dha dinjitet të madh instituconit të presidencës por dhe mbarë shqiptarëve”
