Arreste për tenderin e sistemit të kondicionimit të prokurorisë, 4 persona akuzohen për mashtrim. Dëmi 35 milionë lekë
Mashtrimi me tenderin e sistemit të kondicionimit të prokurorisë së Elbasanit me pasojë një dëm ekonomik prej 35 milionë lekësh është bërë shkak për arrestimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të dy të dyshuarve të tjerë.
Pajisjet e instaluara prej tyre kanë dalë jashtë funksionit para kohe ndërkohë që katër administratorët dhe punonjësit e kompanive private akuzohen se kanë faturuar punime që nuk i kanë kryer realisht.
Prokuroria e Tiranës ka firmosur katër urdhra arresti për persona të dyshuar për abuzime në tenderin e sistemit të ngrohje-ftohjes së prokurorisë së Elbasanit me pasojë një dëm ekonomik prej 35 milionë lekësh. Në një njoftim për media organi I akuzës njoftoi se dosja po hetohet për akuzën e mashtrimit mbi bazën e informacionit të dërguar grupit të hetimit nga Prokuroria e Përgjithshme.
Konkretisht burimet thanë se në vitin 2020 në sistemin e ftohjes të Prokurorisë së Rrethit Elbasan, janë konstatuar problematika që kanë pasur të bëjnë me mosfunksionimin e aparaturës Chiller të instaluar nga subjekti ndërtues nën-kontraktor. Nga disa verifikime dhe të dhëna paraprake të marra nga specialistë të fushës ka rezultuar se pajisja në fjalë kishte dalë nga funksionimi.
Në vijim të hetimeve, janë konstatuar nga firma ndërtuese punime të faturuara që nuk janë kryer realisht, instalime të pajisjeve të kondicionimit me fuqi më të ulët se preventivi dhe nevojat e ngrohje-ftohjes së godinës etj.
Për këtë arsye është firmosur urdhër arresti për shtetasit Dedë Maluta, administrator i shoqërisë “Junik” shpk, Vladimir Mulata me detyre drejtues teknik i shoqërisë, të cilët janë shpallur në kërkim, ndërkohë që janë vënë në pranga Ardian Lloshi me detyrë inxhinier dhe administrator i shoqërisë “Tirana Nevv Supervisor” dhe Ibrahim Dragoshi, me detyre inxhinier dhe administrator i shoqërisë “Imes-D” Shpk.
Sipas prokurorisë, këta shtetas kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke përfituar dhe duke sjellë një dëm prej 3.569.714.29 lekë dhe në këto kushte ata kanë konsumuar elementet e veprës penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
