Policia i bën shenjë të ndalojë, djali braktis në Himarë makinën me 33 emigrantë brenda, ikën të fshihet në Laprakë
Aksi Korcë-Tiranë mbetet rruga kryesore e klandestinëve që kërkojnë të kalojnë përmes Shqipërisë drejt vendeve të BE, pasi futen nga kufiri I gjelbër me Greqinë në Juglindje.
Por gjithmonë e më shumë, si portë hyrësë po përdoret edhe kufiri në bashkinë jugore të Konispolit nga ku nisin rrugë të reja të transportit drejt kryeqytetit.
Një 27 vjecar nga Tirana u arrestua pasi ishte përfshirë në trafikun e emigrantëve.
Klodian Murati sipas policisë u lokalizua në dalje të Bypass-it Himarë duke udhëtuar me një furgon.
Kur blutë i bënë thirrje të ndalojë ai i dha gaz mjetit të cilin e braktisi disa metra më tutje dhe humbi gjurmët.
Në furgon udhëtonin 33 emigrantë nga vendet e luftës të cilët Klodian Murati sipas policisë kishte marrë përsipër ti sillte në Tiranë kundrejt pagesës.
Disa orë pasi i shpëtoi policisë në Himarë, 27 vjecari u lokalizua dhe arrestua në zonën e Laprakës në Tiranë.
Gjatë kontrollit iu kap edhe një sasi kokaine.
Që kur Shqipëria u përfshi në të ashtuquajturën rruga ballkanike e emigrantëve, fluksi I klandestinëve në kufijtë jugore mbetet i lartë, duke detyruar vendosjen e forcave të Frontex.
Ata që kapen në kufi, kthehen direkt në Greqi, ndërsa të tjerët paguajnë deri në 1000 euro për person nga juglindja deri në Tiranë.
Për trafikimin e tyre përmes Shqipërisë po përdoren nga makinat e luksit me xhama të zi deri tek kamionët.
