Zonja me zemër të madhe i fal pensionin e invaliditetit djalit nga Librazhdi, ka nevojë për transplant veshkash

Një gjest solidariteti është treguar nga një zonjë e cila është ofruar t’i falë pensionin e saj të invaliditetit 35 vjeçarit nga Librazhdi që kërkon ndihmë për kryerjen e një transplanti veshkash.

Rasti u trajtua në Ora News para disa ditësh. Një shikuese e emisioni "Ora Juaj" telefonoi sot në mëngjes dhe shprehu gadishmërinë për t'i dhuruar pensionin e saj të invaliditetit Eltonit. 

Katër vite më pare Elton Poçi, pësoi një aksident të rëndë dhe sot jetën e ka të lidhur me aparaturën e dializës. Ka humbur shpretkën dhe veshkat i ka jashtë funksionit.

"Bëmë aksident në Tiranë, shoku im ka ndërruar jetë dhe unë kam qëndruar mbi një vit në spital, pastaj kam arritur në dializë" tregoi historinë Eltoni.

Për të jetuar normalisht i nevojitet një transplant veshkash, por kostot e operacionit nuk i përballon dot.

Në gjendjen që ndodhet nuk mundet të punojë, ndërsa problemet shëndetësore po e rrënojnë ekonomikisht.

Kujtdo që mundet i bën thirrje për ndihmë për ti lehtësuar sado pak barrën që i ka sjellë sëmundja.

"Të më ndihmojnë sa të kenë dëshirë, Zoti ua shpërbleftë. Sado pak, për mua janë shumë".