Avokatja e Popullit: Në komisariate kushte çnjerëzore, Elvin Meta u vetëvar në qeli

Protestuesit nuk janë përballur vetëm me dhunë të shtuar të policisë, por edhe me kushte të papranueshme në qelitë e komisariateve në rastet kur janë ndaluar.

Avokatja e Popullit Erinda Balanca gjatë raportimit në komisionin parlamentar të ligjeve i ka konsideruar kushtet në qeli skandaloze

"Kushtet nuk janë normale. Janë kushte çnjerëzore. Kam marrë në telefon ish drejtorin e Policisë i kam thënë ku po i lini njerëzit? Më ka thënë ku ti çojmë?! Ju na keni thënë ti mbyllim se nuk plotësojnë kushtet" tha Balanca.

Duke folur mbi rastin e Kavajës, ku në komisariat u vetëvar Elvin Meta, Balanca u shpreh se nuk kemi të bëjmë me vrasje, por edhe një herë solli në vëmendje investimet dhe rregullat në qelitë e komisariateve.

"Nuk ka deri më tani indicie që personi është vrarë nga ana e policisë. Duket se personi është vetëvrarë"

Avokatja e Popullit tërhoqi vëmendjen dhe për sjelljen e administratës në hetimin e ngjarjeve.

Balanca bëri thirrje kuvendit që të marrë masa buxhetore në mënyrë që të bëhet e mundur ndërtimi i institucionit për personat me probleme shëndetësore.