Maliqi mbetet pa ujë. Banorët: Po ujisim me sonda

Fermerët e fshatit Pocestë vuajnë mungesën e ujit për vaditje. Vetë ata shprehen se në mungesë të investimeve të bashkisë dhe qeverisë, ata vetë kanë hapur sonda për të sjellë ujin për të vaditur tokat e tyre.

Edhe pse ka dhjetëra hektarë tokë bujqësore të mbjellë, uji në këtë fshat mungon prej shumë vitesh.

"Nuk kemi ndihmë për të vaditur tokat. Kemi investuar vetë, kemi hapur sondat. Me vdekjen e Enver Hoxhës, vdiqën dhe kanale," thotë një fermer.

Një tjetër shprehet se:

"Kemi mb 15 vite pa ujë. Me ujin e sondës kemi gjetur zgjidhje, por dhe ai nuk mjafton për të vaditur tokat."

Kostoja e investimeve është tepër e madhe për ta, aq sa ata nuk marrin dot në kthim lekët që kanë shpenzuar për sjelljen e ujit nga puset.

"Po nuk investove si do të marrësh? Duhet të paguash që të marrësh. Nuk marrim mbrapsh as ato që japim. Kjo sepse nuk ka administrim të ujit. Rezervuari është, por nuk administrohet në mënyrë të rregullt," tha një tjetër fermer.

Apeli mbetet i qartë për autoritetet të cilat duket se e kanë lënë jashtë vëmendjes këtë fshat ku pjesa më e madhe e banorëve i siguron të ardhurat përmes bujqësisë.

"Qeveria duhet të investojë, të hapi kanalet sic kanë qenë më përpara. Por qeveria nuk ka vënë dorë për këtë, " shprehet ai.

Pocesta ndodhet vetëm 6 km larg Maliqit, ndërsa mungesa e ujit për vaditje mbetet shqetësimi kryesor i fermerëve në këtë sezon mbjellje.