Presidenti/ Kume: Sjellja e opozitës e njëjtë si në djegien e mandateve, ka mundësi edhe në raundin e 4-të

Edhe raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit ka dështuar. Pas leximit të raportit para Kuvendit ku u konfirmua se nuk ishte paraqitur asnjë kandidat, ku më pas u mbyll seanca.

Në lidhje me këtë ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, në një intervistë për Ora News, tha se ky proces kërkonte përkushtim dhe vëmendje nga të gjitha palët.

Kume theksoi se zgjedhja e presidentit në tre raundet  e para nuk u realizua pasi sipas tij opozita e vendit nuk ka gjetur akoma veten e saj, e për pasojë nuk mund të japë kontribute në zgjedhjen e këtij problemi.

Kristaq Kume:  Zgjedhja e presidentit është një moment shumë i rëndësishëm, i cili kërkonte përkushtim, vëmendje dhe kontribut të të gjithë palëve. Në kushte kur janë konsumuar tre raundet e para për zgjedhje e presidentit, mund të themi se pavarësisht dëshirave që kanë ekzistuar, mundësitë pas saj janë më të limituara se ato që ishin në fillim të procesit të trajtimit të zgjedhje së presidentit në Kuvendin e Shqipërisë. Në tre raundet e para mund të zgjidhet dhe duhet të zgjidhet, vetëm kur për të shprehen dakord 84 deputetë. Por kjo nuk u realizua, sepse opozita e vendit nuk ka gjetur akoma veten e saj, nuk është e zonja të orientohet brenda vetes së saj, e jo më të japë kontribute reale në zgjidhjen e këtij problemi.

Ai tha se sjellja e opozitës në këtë rast ishte e njëjtë me atë të djegies së mandateve.

Kristaq Kume: Deputetët e opozitës nuk përdorën dhe as nuk iu nënshtruan asaj që kërkon opozita. Kjo mënyrë e të sjellurit të opozitës, më lë përshtypjen se është një Deja Vu,  një sjellje e njëjtë me atë që bëri PD në rastin e djegieve të mandateve. Opozita duhet t’I përgjigjet mazhorancës. Mundësia që opozita të jetë pjesëmarrëse me produkt, aktive në funksion të asaj që ka deklaruar deri më sot se do donte të bëhej e ka akoma kohën.

Më tej ai shtoi se opozita ka ende shanse në raundin e katërt që të propozojë kandidatë për kreun e shtetit.

Kristaq Kume: Në raundin e katërt, opozita i ka mundësitë e plota kushtetuese që të  mbledhë dy grupe, deputetësh dhe të paraqesin dy kandidatura. Është e hapur ende loja, për të gjetur zgjidhje të cilat të jenë sa më afër asaj që kërkon Kushtetuta e Vendit. Mospjesëmarrja është e barabartë me atë që deklaronte në fillim se do të ndodhte, dhe tash do të ndodhi, që mazhoranca do e zgjedhë presidentin mazhoranca.

Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.