Policia i mori aparatin dhe nuk e lejoi të filmojë shoqërimet e tifozëve, Gledis Nano urdhëron hetimin e incidentit me fotoreporterin
Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmjen e kaluar, me fotoreporterin Genti Shkullaku.
Raportohet se drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka urdhëruar verifikimin e rrethanave të këtij incidenti.
Një grup i posaçëm nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike po kryen të gjitha veprimet dhe nëse do të rezultojë se ka patur tejkalim apo shkelje të procedurave standarde të punës nga punonjës policie, do të merren masat disiplinore përkatëse.
Gjatë takimit të zhvilluar mesditën e djeshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka dhënë porosi të veçantë drejtuesve të strukturave policore të angazhuara me shërbim në Tiranë, për mbarëvajtjen e aktivitetit, që gazetarëve dhe reporterëve, vendas e të huaj, t’u krijohen të gjitha lehtësirat, me qëllim që ata të përmbushin misionin e tyre.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të medias në veçanti, si dhe shpreh angazhimin për të përmbushur më së miri detyrimin për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në një event madhështor siç është finalja e sotme europiane e Conference League.
Kryeqyteti u shndërrua mbrëmjen e të martës në një arenë përplasje mes tifozëve dhe policëve, ku si pasojë mbetën të plagosur 20 policë dhe 10 tifozë.
Policia nuk e lejoi fotografin e agjencisë së njohur LSA që të filmonte teksa po ndalonte tifozët holandezë.
Përfaqësuesi i LSA, Genti Shkullaku tha se policia reagoi në mënyrë të dhunshme duke mos lejuar fotografimin.
Fotografit të LSA-së iu mor edhe aparati.
Policia ia ktheu më vonë aparatin duke e detyruar të fshijë fotot.
