Një yll për komandantin e NATO-s, Rama i kërkon të bëhet avokat për sjelljen e një baze detare në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama i ka dorëzuar medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”, Komandantit të Komandës Operacionale të NATO-s, Gjeneral Tod Daniel Wolters.

Rama e konsideroi këtë moment si privilegj si dhe pasi tregoi arsyet e dekorimit të Gjeneralit, shpalli një tjetër ambicje të Shqipërisë.

Pas transformimit të forcave ajrore të Kuçovës, tashmë Rama tha se ideja e radhës të cilën shpreson ta përkrahë dhe Gjeneral Wolters, është për të pasur një bazë detare të NATO-s në Shqipëri.

Një yll për komandantin e NATO-s, Rama i kërkon të

Edi Rama: "Gjeneral Wolters ka një vend të posaçëm, nuk po e them këtë për shkak të rrethanave apo se momenti e do që të them disa fjalë, them që ishim ne që vendosëm  ta bënim këtë gjë nuk na u kërkua ta bënim këtë gjë. Donim që të shprehnim përgëzimet Gjeneralit, si një prej personave më të shquar që ka përfaqësuar në mënyrën më të mirë këtë marrëdhënie Shqipëri-SHBA, sepse Gjeneral Wolters jo vetëm ka qenë mbështetës por dhe i prirur të tregojë me vepra që e ka përzemër këtë marrëdhënie. Forcat e Armatosura Shqiptare nuk do të harrojnë që ishte ishte Gjenerali Wolters ai i cili mbështeti transformimin e forcave ajrore të Kuçovës në një bazë taktike të NATO-s. Si dhe prej ditës së parë ka përkrahur e mbështetur Shqipërinë si një prej vendeve pritëse të serisë së stërvitjeve Defender."

Rama foli dhe se si erdhi ideja për të pasur një bazë detare në Shqipëri.

Edi Rama: Fakti që kam pasur mundësi të takohem me gjeneralin, të flas me të më ka bërë të ndihem shumë i inkurajuar në fjalët e tij kur më tha “mund të jeni një vend i vogël, e keni një ushtri të vogël, por mund të gjen vendin tuaj duke krijuar vlerë të shtuar për të gjithë aleancën”. Kjo është ajo çfarë më frymëzoi për t’i ndarë këto fjalë me ministren, me shefin e Shtabit, me njerëz të terë e na bëri të ulemi e të mendojmë më thellë se si mund të arrijmë deri aty. Kemi disa ide të mira e çka është më me rëndësi kemi disa miq të mirë. Jemi shumë besimplotë sot që mund të gjejmë vërtet vendin tonë për të qenë vlerë e shtuar në këtë aleancë. E lashë për këtë moment që ti them gjeneralit që nesër do kemi mundësi t’i tregojmë disa prej ideve e në këto kohë mjaft specifike të rrezikshme besoj që ai sërish do konsiderojë për të pasur një bazë detare të fjalës së fundit të NATO-s në Shqipëri. Na takon ne që ti paraqesim projektin atij e ti tregojmë atë për çka kemi punuar e më pas ai më pas që prej fillimit do jetë avokati e mbështetësi i kësaj ideje.