Ilir Meta dhe Yuri Kim bashkë kundër trafiqeve, mesazhe për hetim dhe parandalim

Forumi i “Lirisë Ballkanike” me temë “Trendi aktual i trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan” ka bërë bashkë presidentin Ilir Meta dhe ambasadoren e SHBA Yuri Kim.

Në mesazhin e tij kreu i shtetit nënvizoi domosdoshmërinë e rritjes së masave kundër trafiqeve të paligjshme dhe atyre të qenieve njerëzore.

Meta: Lufta kundër trafikimit duhet të bazohet në parandalimin e fenomenit. Në këtë situatë duhet të rrisim bashkëpunimin dhe koordinimin, nëpërmjet autoriteteve si dhe bashkëpunimin rajonal. Një ekonomi më gjithëpërfshirëse, sundimi i shtetit të së drejtës jo vetëm do të përmirësonin jetën e qytetarëve tanë por do të ulnin ndjeshëm trafiqet e çdo lloji. Kërkohet hetim për trafikantët, përfshirë bashkëpunëtorët. Nevojitet trajnim i vazhdueshëm i Policisë së Shtetit, prokurorët, për hetimin me shpejtësi dhe ndjekës penale të trafikimit. 

Duke e cilësuar këtë një betejë të rëndësishme përfaqësuesja e SHBA në tiranë nënvizoi rritjen e përpjekjeve për të luftuar këtë fenomen dhe ndëshkimet penale.

Yuri Kim: Qeveria ka miratuar një plan kombëtar veprimi, këto janë hapa të rëndësishëm, por mbetet ende shumë punë për të bërë. Çdo vit DASH publikon raportin jo për të kritikuar por ndihmuar si udhërrëfyes për bashkëpunim të vazhdueshëm. Ndërkohë që këtë vit pati rritje të ndjekjeve penale e dënimeve të trafikantëve duhet të kthehet në prirje vjetore për të treguar vendosmëri të vazhdueshme për të parandaluar trafikimin e qenieve njerëzore.

Në forum po ashtu u bënë pjesëmarrës edhe kongresmenë amerikanë përmes video mesazheve.