“Autochthonous” në qeli, arrestohet “Ballisti Morina” shkeli dënimin me kusht

Ismail Morina, tifozi i kombëtares së Futbollit që do të mbahet mend për dronin me flamurin “autokton” në mes të Beogradit ka përfunduar sërish në burg. 40-vjeçari i njohur si Ballisti u ndalua në Kukës pasi duhet të vuajë një dënim prej 5 muajsh burg për armëmbajtje.

Ismail Morina, që do të mbahet mend për dronin me flamurin “AUTOCHTHONOUS” në mes të Beogradit përfundoi sërish në qelitë e burgjeve shqiptare.

Superfansi i kombëtares së futbollit që më së shumti njihet me nofkën “Ballisti” u ndalua  në qytetin e Kukësit.

40-vjeçari ishte në listën e personave në kërkim të Policisë së Shtetit për një histori të nisur në vitin 2015.

Në tetor të atij viti, ai u arrestua në Tiranë me armë pa leje dy ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi.

Në gjyq deklaroi se I mbante për vetëmbrojtje pas kërcënimeve të ekstremistëve serbë për aktin e tetorit 2014 në Stadiumin e Beogradit po luante ndeshja Serbi-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e “Euro 2016”.

Në korrik të vitit 2016, Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 2 vite burg, dënim I cili u ul në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Asokohe ai nuk qëndroi asnjë ditë në qeli.

Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke e lënë atë në liri me kusht për një periudhë 18 mujore.

Por Ballisti, mësohet se nuk e ka respektuar vendimin dhe për një kohë të gjatë nuk është paraqitur pranë shërbimit të Provës.

Ndaj gjykata e Durrësit revokuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për lirinë me kusht dhe ka vendosur ta kthejë në burg.

Për shkak të shkeljes Sipas llogarive të drejtësisë, Ismail Morina duhet të vuajë në qeli 5 muaj e 12 ditë burgim.

Pas vendimit, 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim dhe pas rikthimit në Shqipëri përfundoi në pranga.

Raportimi i arrestimit fillimisht në rrjetet sociale dhe vonesa e policisë së Kukësit për sqarimin e shkakut ngjalli reagime.

Ish kryeministri Sali Berisha në rrjetet sociale e cilësoi ndalimin e Ballistit persekutim politik nga binomi famëkeq  Rama-Vuçiç.

Ismail Morina pritet të dalë para gjykatës së Durrësit për tu njohur me vendimin që çon në qeli 8 vite pasi ktheu në simbol flamurin “AUTOCHTHONOUS”.