Rama zbulon pse ka ngecur rindërtimi i shkollës "Sami Frashëri": Po hetohet nga SPAK për një WC

Hetimi për rindërtimin e shkollës "Sami Frashëri", për projektin në Kombinat dhe në Laç ka bërë që kryeministri Edi Rama të akuzojë edhe një herë SPAK. Hapja e dosjes për shkollën në Tiranë për shkeljet në shembje dhe në realizimin e punimeve, sipas Ramës, bëhet për një WC. Ndërsa në Kurbin për të procesi ka ngecur për shkak të një gjyqtareje.

Pakënaqësia e kryeministrit Edi Rama nuk është vetëm për hetimin e incineratorëve dhe mungesën e reagimit pas akuzave që PS ka ngritur për Ilir Metën dhe Sali Berishën.

Në dorëzimin e 74 banesave të rindërtimit në Ndroq, kreu i qeverisë ka akuzuar prokurorinë se po bllokon me hetime edhe rindërtimin.

Edhe pse nuk e ka përmendur, rasti ka të bëjë me shkollën "Sami Frashëri" për të cilën deputetja Jorida Tabaku ka akuzuar se u shemb pa një plan ndërtimi dhe nuk u mor një leje ndërtimi për ta ndërtuar atë.

Rama: Ti merr përsipër të rindërtosh shkollën simbol të arsimit Tiranë që u godit rëndë për ta bërë simbol, ta marrin peng se të çojnë në SPAK për një WC. Duhet të presësh që të bëhet hetimi e gjykimi. Ky proces ka ecur paralel me një proces të tërë falsifikimesh, ankimihesh, të gjykatësve që janë të krimbur nga koka në këmbë dhe e dinë që kanë shans ta kalojnë vetingun e kapin ça të kapin. Prandaj është e vonuar por ne nuk i ndahemi derisa familja e fundit të marrë shtëpinë. Në Tiranë, Durrës ku kanë qenë problemet më të mëdha me gjykatës e mashtruesa.

Rama ka pranuar se edhe në zonën e Kombinatit ka problem me drejtësinë.

Rama: Siç ndodh me Kombinatin, çështje të panumërta të hapura në gjykata me pretendime nga më absurde për të marrë copën më të madhe sesa copa që ju takon.

E njëjta situatë është dhe në Laç, ku Rama fajëson gjykatat.

Rama: Me gjykata e prokurorë që mbajnë peng komunitete të tëra pa pikën e turpit, siç njëri ka marrë peng vazhdimin e punës për të ndërtuar apartamentet e mbetura në Laç për një person.

Në përfundimin e punimeve në Ndroq, Rama thumboi edhe Veliajn për propagandën e shtuar në medie.