Berisha akuza qeverisë: Përveç largimit, të rinjve po u ofron dhe drogën

Nga Kukësi, ish-kryeminsitri Sali Berisha ka deklaruar se do të heqë taksën e Rrugës së Kombit. Sipas tij ajo nuk është gjë tjetër, vetëm se fryt i urrejtes së Kryeminstrit, për shkak se kjo rrugë u ndërtua në kohën e qeverisjes Berisha. Po ashtu ai akuzoi pasardhësin e tij në qeveri se me projektin e tij për lejimin e kultivimit të kanabisit po bën të mundur drogimin masiv të shqiptarëve.

Ish-kryeminstri, Sali Berisha, nga Kukësi u shpreh se Edi Rama jo vetëm po i largon të rinjtë nga vendi, por po synon edhe t’i drogojë përmes projektit të tij për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

"Po iki rinia e merr të ardhmen me vete, ajo është e ardhmja. Përveç largimit tani u ofron drogën. Deklaroi para dy javësh se do pyesë anketën dhe nëse anketa thotë, do ta lejojmë dhe për përdorim personal. Pra të shkatërrojë në substancë kombin tonë. Faik Konica në një moment dëshpërimi shkruante se Shqipërinë e duan vetëm 37 vetë. Kuptohet ishte në momente dëshpërimi".

Berisha kritikoi ashpër mazhorancën për mosmiratimin në parlament të rezolutës për njohjen e gjenocidit të Srebrenicës.

Sipas tij, ky vendim tregon qartazi se qeveria shqiptare e ka më afër Bogradin sesa Kosovën, e ndërsa për Ramën tha se Vuçiçin e ka vëlla.

"Në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, i cili dënon mosnjohjen e gjenocidit, në kundërshtim me ligjin e njerëzimit, në kundërshtim me interesin tonë kombëtar dhe sakrificën e madhe të dhjetëra qindra mijëra shqiptarëve."

Duke e vënë theksin tek rithemelimi i Partisë Demokratike, si një proces i kurorëzuar më 30 Prill, Berisha tha se opozita kaloi vështirësi për shkak të lidhjeve të Lulzim Bashës me qeverinë Rama.

"Në udhëtimin tonë kundër nesh u rreshtua lidership ish-kryetari i PD-së por jo vetëm ai, të cilët të lidhur me 1000 fije me qeverinë pas shpinës tuaj, në kurriz tuajin, bënë gjithçka që të mposhtin përpjekjen tonë."

Para demokratëve kuksianë, Berisha ashtu si Basha, premtoi se me ardhjen e opozitës do të heqë traun për kosovarët në Rrugën e Kombit.

"Ju garantoj që taksa, që është një taksë turpi, do të hiqet dhe ajo rrugë ashtu siç ka emrin sot do të mbetet Rruga e Kombit."

Takimin e tij me demokratët e Kukësit, ish-kryeministri Sali Berisha e zhvilloi në kuadër të zgjedhjeve për kreun e PD-së, ku përballë tij në këtë garë gjendet pikërisht ish-kryedemokrati i Kukësit, Ibsen Elezi.