Nuk respektoi çmimet e Bordit, i hiqet licenca për 3 muaj një kompanie tregtimi karburantesh

Qeveria shqiptare ka hequr licencën për 3 muaj një subjekti tregtimi gazi dhe nafte, për shkak se nuk ka respektuar çmimet e vendosura nga bordi.

Licenca i është hequr subjektit “Bregu Oil” sh.p.k me adresë në Berat, ndërkohë që ngarkohen strukturat përgjegjëse për ekzekutimin e këtij akti.

Vendimi i plotë:

PËR PEZULLIM LICENCE PËR 3 MUAJ PËR USHTRIM VEPRIMTARIE DHE DETYRIMIN PËR MOSNDRYSHIMIN E GJENDJES SË PRODUKTEVE TË NAFTËS DHE TË GAZIT, SUBJEKTIT “BREGU OIL” SHPK

Bordi  i  Transparencës  dhe  Kufizimit  të  Përkohshëm  të  Çmimeve  të  Tregtimit  me  Shumicë/Pakicë  të Nënprodukteve të Naftës dhe të Gazit, në mbështetje të pikës 2, të nenit 21/8, të aktit normativ nr. 8, datë 25.3.2022, “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.2.1999, ‘Për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre,”, të ndryshuar,

VENDOSI:

1. Dhënien e masën administrative ndaj subjektit “Bregu Oil” sh.p.k., me NIPT: L42823001F, “Pezullim licence për 3 muaj për ushtrim veprimtarie dhe detyrimin për mosndryshimin e gjendjes së produkteve të naftës dhe gazit”.

2. Ky vendim është i detyrueshëm për subjektin “Bregu Oil” sh.p.k. me NIPT: L42823001F, me adresë: Cukalat–Donofrosë–Berat.

3. Strukturat përgjegjëse për ekzekutimin e këtij vendimi, përkatësisht, inspektorati shtetëror përgjegjës pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Njësia Administrative Cukalat – Berat, ekzekutojnë aktin me botimin në Fletoren Zyrtare.

4.  Ky  vendim  të  publikohet  në  Fletoren  Zyrtare,  si  dhe  në  faqen  zyrtare  të  ministrisë  përgjegjëse për hidrokarburet.