"Nuk ka vullnet nga pala tjetër", Rama fajëson opozitën: Duan ta vendosin vetë Presidentin, le ta bëjnë, po si?
Zgjedhja e pasuesit te Ilir Metës me shumë gjasa do të kalojë në raundin e katërt me votat e shumicës.
Kryeministri Rama e bëri të qartë pas dështimit të raundit të parë se nuk ka vullnet nga pala tjetër për konsensus, sikundër dhe PS nuk i ka 84 votat për tre raundet e para ku kërkohet 3/5 e votave.
Rama: Dihet që si kemi 84 votat e nevojshme për të kaluar raundin e parë, të dytë dhe të tretë. Nuk më rezulton se ka ndonjë qartësi, ide, vullnet nga palet e tjera për tu përfshirë në këtë proces deri më tani.
PS e ka një emër deri tani?
Rama: Jo.
PD kërkon nga mazhoranca ti japë të drejtën opozitës për të propozuar.
Rama: Për çfarë arsyeje duhet ta bëjë këtë PS, të dorëzojë të drejtën për të marrë pjesë në proces dhe t'ja kalojë këtë të drejtë kujt, kujt ekzaktësisht? Nuk po dimë më kë kemi në anën tjetër. Kemi lloj-lloj copash dhe lloj-lloj çikash. Nuk ka logjikë. Kemi kaluar dy herë në këtë proces kur kemi qenë në opozitë, flas të kohës së drejtimit tim në PS. Njëherë kishim numra të mjaftueshëm për të bllokuar 84 dhe njëherë tjetër kur nuk kishim numrat. PD kishte numrat për të zgjedhur Presidentitn.
Ne kemi kaluar në këtë proces, jemi ulur në teyezë, kemi thënë gjërat tona, kemi bërë përpjekjen tonë dhe kemi vazhduar përpara pavarësisht se shumica e asaj kohe zgjodhi një President tjetër që ishte nga radhët e partisë së shumicës. Ky është roli që ka opozita, të përpiqet të ndikojë, të gjejë rrugë për të gjetur një konsensus të mundshëm me shumicën dhe të jetë e hapur për të rënë në dakordësi për një emër që mund të jetë i propozuar prej shumicës në rast se bie dakord, në rast se nuk bie rrugët ndahen dhe pastaj vendos vota. Kjo është logjika. Nuk kuptoj këtë jo po ne duhet ta vendosim vetë. Po mirë vendoseni, si e vendos?
PS do të propozojë kandidat për testuar duke nisur nga raundi i dytë?
Rama: Jo nuk kemi nevojë të bëjmë asnjë testim sepse ne nuk i kemi votat dhe nuk ka asnjë nevojë të hyjmë dhe bëjmë testime për të parë që ne nuk i kemi votat. Do të presim me durim deri në fund. Në rast se do ketë ndonjë dëshirë nga pala tjetër që mesa duket nuk ka, sigurisht që ne nuk do të mbetemi pa ezauruar atë mandat shumë të qartë që na jep Kushtetuta.
Në momentin që thoni se keni përballë copa e çika për opozitën, me kë do të negocioni?
Rama: Nuk kemi. Megjithatë presim, nuk është e nevojshme që ti ndajmë ne se kush është kush. Dihet se me kë ne nuk negociojmë për asnjë arsye dhe dihet se kë ne refuzojmë ta marrim në konsideratë për çdo arsye. Ndërkohë ne jemi të gatshëm të flasim me çdo palë, pjesë që do të donte të fliste me ne. Nëse nuk duan të flasin, ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër përveçse me durim të presim dhe në momentin që të hyjmë në raundin e katërt pastaj të përdorim mandatin që na jep Kushtetuta për të zgjedhur Presidentin apo Presidenten e Republikës.
Nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Është për të ardhur keq se mund të ishte një proces më i kulturuar, më i edukuar, më i harmonizuar në aspektin e një ballafaqimi dhe shkëmbimi idesh, për më tepër në një kohë si kjo sot kur ne nuk kemi nevojë të krijojmë konflikte ekstra apo të shpikim hendeqe ekstra se boll janë ato që janë të trashëguara. Por ne vetëm mund të shprehim dëshirën dhe vullnetin dhe vetëm mund të kemi detyrimin për ta ndjekur këtë proces duke respektuar të gjithë procedurën që parashikon Kushtetuta. Më shumë se kaq nuk mund të bëjmë dot.
A mund ta rishikojë PS kriterin që Presidenti të mos jetë aktiv në politikë. Aleatët e PD kërkojnë që Presidenti i ardhshëm të jetë politik.
Rama: Nuk kemi kushtëzuar askënd. Ne thjesht kemi thënë që kandidati për President nuk do të jetë nga grupi ynë parlamentar, kaq. Nuk kemi venë kushte të tjera, aq më pak të kushtëzojmë të tjerët. Sigurisht që kur hedh sytë nga lëndinat e tjera të Parlamentit aty është e vështirë të identifikosh një President të mundshëm. Megjithatë ne nuk kemi vënë kushte të tilla.
Nëse ata kanë ndonjë që ne nuk e kemi parasysh, që është aktualisht në Parlament dhe që i plotëson nevojat që ka sot vendi për një President, le të vijnë të na thonë cili është dhe ta shikojmë se mbase në kaq vite ka mbetur ndonjë figurë e pazbuluar. Por nga sa ne i shohim janë jo vetëm të zbuluara, por edhe të pambulueshme.

