Berisha nga Kukësi: Rama nuk kurseu asgjë për të pasur opozitë të rreme. Është më i afërt me Vuçiç sesa me Kurtin

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka vijuar fushatën e zgjedhjes së kreut të PD-së në Kukës.

Në fjalën e tij Berisha ka hedhur akuza duke thënë se Kryeministri Rama ka bërë të pamundurën për të pasur një opozitë të rreme në vendin tonë.

Sali Berisha: Përpjekje të mëdha djallëzore, antidemokratike, u bën që kjo forcë politike të mbetej, opozitë e rreme, të mbetej pseudo-opozitë dhe shqiptarët të kalonin nga pluralizimi I vërtetët politik në pluralizmin burokraik fals. Në këtë përpjekje kreu i qeverisë sotme nuk kurseu asgjë, për realizimin e projektit të Shqipërisë me opozitë të rreme. Ai përdori të gjitha mjetet e një shtetin pa ligj e pa moral. Një qëndrim të tillë nuk mbajti as diktatori Ramiz Alia.

Berisha premtoi se së shpejti PD do të rithemelohet.

Sali Berisha: Ne do finalizojmë së shpejti procesin e rithemelimit të PD-së të bazuar në votën tuaj të lirë, në vullnetin tuaj të lirë.

Ne rithemelohemi si parti e interesit kombëtar, ai interes sado që duket i largët, është interesi i të gjithë interesave.

Berisha është ndalur dhe te marrëdhënia e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiç, duke thënë se kreu i qeverisë nuk I kursen fjalët e mira për presidentin serb e nxjerrë  keq Albin Kurtin.

Sali Berisha: Ku jemi sot ne, a nuk kemi sot një qeveri që është më e afërt me të Beogradit sesa me të Kosovës, a nuk kemi ne një qeveri e cila në mënyrën më të paimagjinueshme i bën tualet Aleksandër Vuçiç.

Edi Rama nuk kursen fjalë të mirë pa thënë për Vuçiç për të nxjerrë të keq Albin Kurtin dhe udhëheqjen politike në Kosovë.