Vrasja e Alket Muhos, autorëve Et’hem dhe Dino Muho u shtohen edhe disa vite burg

Gjykata e Apelit Gjirokastër ka shtuar dënimin ndaj Et’hem dhe Dino Muho për vrasjen Alket Muhos më 6 shtator të vitit 2018, në fshatin Rabije të Bashkisë Memaliaj.

Babë e bir ishin gjetur fajtorë dhe ishin dënuar me përkatisht 20 dhe 17 vite burg nga shkalla e parë e gjyqësorit në tetor 2021, por vendimi ishte apeluar nga Prokuroria pasi vendimi nuk përcaktonte armën e krimit.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Gjirokastër, Sokol Pina, me gjyqtaren tjetër ndihmëse Margarita Buhali ka shtuar në vendim efektet e veprës penale të armëmbajtjes pa leje.

Nga bashkimi i dënimeve, Dino Muho, u dënua përfundimisht me 19 vite burg, dy më shumë nga vendimi i shkallës së parë.

Ndërsa Et’hem Muho duhet të vuajë 22 vite burg.

Vendimi pasoi një seancë të tensionuar për shkak të reagimit të familjarëve dhe u ekzekutua menjëherë në sallën e gjyqit.

Et’hem dhe Dino Muho u arrestuan në gjykatë dhe u dërguan direkt në burg.

Prej qershorit 2021, babë e bir qëndronin në "arrest shtëpie" me vendim po të gjykatës së Apelit Gjirokastër që atëkohë i liroi me arsyetimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit pasi Gjykata e Faktit zvarriti proceset gjyqësore.

Alket Muho, 43-vjeç, u vra me 7 plumba pasi u qëllua nga afër me një automatik.

Sipas dosjes hetimore, shkak i krimit ishin konfliktet e përsëritura për çështje pronësie.