Çela kërkon ndryshime ligjore: Të rishikohet roli i gjyqtarit paraprak dhe llogaridhënia e prokurorëve

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, kërkoi ndryshime ligjore në KLP sa i përket kontrollit dhe vlerësimit të prokurorive të rretheve. Gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për vitin e kaluar, Kryeprokurori kërkoi rishikimin e rolit të gjyqtarit paraprak, ndërsa shtoi se vettingu në drejtësi ka lënë 116 vende bosh në sistemin e Prokurorisë.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, propozon ndryshime ligjore sa i takon rolit të reduktuar nga paketa e reformës në drejtësi në kontrollin e performacës së prokurorëve të rretheve si dhe rolin e gjyqtarit paraprak.

Kërkesa u bë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku kreu i organit të akuzës paraqiti bilancin e punës për vitin që kaloi.

"Propozime që kanë të bëjnë me rritjen e kohezionit brenda prokurorisë, raportin e Prokurorit të Përgjithshëm me prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe prokuroritë e apelit si dhe raportin e Prokurorit të Përgjithshëm me Këshillin e Lartë të Prokurorisë në këtë konktekst.Kjo ka të bëjë me rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së prokurorëve në kushtet e organizimit të sotëm ligjor. Roli i gjyqtarit të seancës paraprake është i rëndësishëm, por dimensionet që ligji i ka dhënë gjyqtarit të seancës paraprake mendoj që ka nevojë për një rishikim."

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Çela ishin edhe vakancat e shumta të prokurorëve të krijuara nga shkarkimet e vettingut.

Janë gjithsej 116 prokurorë që mungojnë, ndërkohë që për këto mungesa në stafe Prokuroria e Përgjithshme ka parë si zgjidhje shtimin e numrit të OPGJ-ve dhe hartën e re gjyqësore.

"Është një zgjidhje e mirë për momentin.Mendoj që i përshtatet situatës reale të prokurorive dhe gjykatave.Kjo do të na mundësojë të minimizojmë disi dëmin që po na shkaktohet nga largimet e prokurorëve nga vettingu dhe kjo vlen njësoj dhe për gjyqësorin."

Sa i përket marrëdhënieve me drejtuesit e prokurorive, Çela sqaron se janë evidentuar probleme në marrëdhëniet me disa prej tyre.

Konkretisht problemet janë evidentuar lidhur me veprimtarinë organizative dhe administrative, gjë që e bën të pamundur vlerësimin e performacës së punonjësve, çka sipas Çelës do i vlejë edhe KLP-së për punën në vlerësimin e prokurorëve.