Gjyqtarja e Vlorës mbyll betejën ligjore, KPA e konfirmon në detyrë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Vlorës Atalanta Zeqiraj.

Vendimi u mor nga  trupi gjykues i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtarë.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Me 30 qershor 2021, KPK e konfirmoi në detyrë gjyqtaren por  vendimi u konfirmua nga Komisioneri Publik.

Gjyqtarja nuk kishte pasuri të paluajtshme dhe asaj iu gjetën si problem vetëm disa pasaktësi në deklarime kryesisht mbi të ardhurat e babait që KPK vlerësoi se nuk ishin shkarkuese.

Në vendimin e konfirmimit trupa e KPK, Firdes Shuli kryesuese, Roland Ilia relator dhe Etleda Çiftja anëtare, i referohen proporcionalitetit në lidhje me mos deklarimin prej Zeqirajt në deklarimet periodike të burimit të ligjshëm që i kishte shërbyer babait në blerjen e një apartamenti në Vlorë, që gjyqtarja e përdorte pa kundërshpërblim.

Në vendim KPK thotë se Zeqiraj solli prova që babai kishte huazuar nga kompania që zotëronte shumën prej 3.8 milion lekë.

Aty po ashtu vihet në dukje se paratë kishin qarkulluar në llogari bankare dhe lëvizja e tyre ishte dokumentuar në librat e kompanisë. Ngjashëm edhe se shuma kishte qenë në dispozicion në llogaritë e kësaj kompanie.

Trupa arsyetoi se edhe pse kishte pasur pasaktësi në deklarim ky veprim dhe veprime të ngjashme nuk ishin të mjaftueshme për ta penalizuar gjyqtaren, e cila nuk kishte pjesë në blerjen e kësaj pasurie.