Presidenti në raundin e katërt, Rama: Nuk kemi me kë të negociojmë; Alibeaj: Mazhoranca s'ka legjitimitet

Parlamenti dështoi të zgjedhë Presidentin e ri të Republikës në raundin e parë, pasi Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk arritën të gjejnë emrin që mund të merrte 84 vota.

Nikolla: Ftoj Konferencën e Kryetarëve për tuy mbledhur dhe për të caktuar datën e votimit të dytë të zgjedhjes së Presidentit. Seancën e sotme e deklaroj të mbyllur.

Nëse kushti i vendosur nga Enkelejd Alibeaj për ti dhënë presidenti opozitës është e vetmja mënyrë që ajo të bashkojë votat me PS, Edi Rama është gati të sakrifikojë dhe dy raundet e tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar, pasi i tha jo kësaj dëshire politike.

Rama: Megjithatë presim, nuk është e nevojshme që ti ndajmë ne se kush është kush. Dihet se me kë ne nuk negociojmë për asnjë arsye dhe dihet se kë ne refuzojmë ta marrim në konsideratë për çdo arsye. Ndërkohë ne jemi të gatshëm të flasim me çdo palë, pjesë që do të donte të fliste me ne. Nëse nuk duan të flasin, ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër përveçse me durim të presim dhe në momentin që të hyjmë në raundin e katërt pastaj të përdorim mandatin që na jep Kushtetuta për të zgjedhur Presidentin apo Presidenten e Republikës.

Për kryesocialistin, kjo duhet të ecë në rrugën e negociatave dhe jo të kushteve të një opozite të përçarë.

Rama: Nuk kemi kushtëzuar askënd. Ne thjesht kemi thënë që kandidati për President nuk do të jetë nga grupi ynë parlamentar, kaq. Nuk kemi venë kushte të tjera, aq më pak të kushtëzojmë të tjerët. Sigurisht që kur hedh sytë nga lëndinat e tjera të Parlamentit aty është e vështirë të identifikosh një President të mundshëm. Megjithatë ne nuk kemi vënë kushte të tilla.

Por Enkelejd Alibeaj kërkon një qëndrim shkresor nga PS, pasi është i bindur që mazhoranca nuk ka moral për ta zgjedhur e vetme.

Alibeaj: Ne bëmë detyrimin tonë për të marrë pjesë në proces. Arsyetimi është i thjeshtë; kjo mazhorancë nuk e ka legjitimitetin për të zgjedhur presidentin, edhe si një arsye për zgjedhur një president mbi palët. Qëndrimi ynë është i qartë. Kemi bërë një deklaratë të çuar zyrtarisht nga mazhorancës, me një logjikë fare të thjeshtë; nëse duhet të jetë presidenti i gjithë shqiptarëve, duhet të jetë një proces transparent dhe i besueshëm. Prandaj duhet të zgjidhet në 3 raundet e para me 84 vota. Kemi qenë në qëndrimit të propozimit tonë. Duam që propozimi të jetë i yni dhe të zgjidhet brenda 3 raundesh.

Të përjashtuar nga negociatat, LSI e konsideron procesin si një farsë të orkestruar nga Edi Rama.

Vasili: Risia e Edi Ramës abortoi. E gjithë farsa, komedia e zezë që u luajt këto 2-3 muaj nuk kishte qëllim të krijonte një proces me risi për zgjedh e pres por zhurmë për të hequr vëmendjen nga aferat. Me gjithë daullet e çara të çingijeve të Rilindjes, patë më në fund që procesi i dhejetëra zarfefe ishte një abort total. Sot gjithë shqiptarët prisnin pas këtyre daulleve, jo ne, por aborti qe i plotë dhe besoj se asnjë shqiptar nuk mund ta imagjinonte që të paktën për sy e faqe të mos kishim qoftë edhe një kandidat, qoftë dhe një kloun sa për ta paraqitur sot në sallën e parlamentit, e gjitha qe një fiasko e vërtetë, një faqe e zezë e vërtetë.

Të martën, 17 maj, ora 10:00 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të caktuar randin e dytë të zgjedhjes së Presidentit.