"Pa sanitare, roje e mësim në korridore" Shkollat në Shkodër 7 vite pa parë investim me sy
Në Shkodër, në shumë prej shkollave, prej gati 7 vitesh nuk është bërë asnjë investim. Drejtuesit e tyre në një takim me përfaqësues të Bashkisë e Ministrisë së Arsimit thanë se disa prej shkollave nuk ofrojnë siguri për nxënësit. Po ashtu ngritën shqetësimin e mësimit me dy turne, mungesës së higjenës apo riparimeve minimale.
Shkoder- Në shkollën “Branko Kadia”, nxënësit detyrohen ta ndajnë oborrin edhe me banorët që i kanë shtëpitë përreth institucionit arsimor.
"Hyjnë e dalin makina private të llojeve të ndryshme dhe me shpejtësi të ndryshme që nëse ndodh gjë e mbi kë bie përgjejgësia?!" tha drejtoresha e Shkollës, Surila Mlloja.
Pa investime dhe të pasigurta për nxënësit. Kjo është situata në shumë prej shkollave 9-vjeçare apo gjimnazeve në Shkodër.
Ka dyer familjarësh të cilët as unë që kam 20 vite mësuese në atë shkollë dhe më pas drejtoreshë nuk e di si janë hapur" tha Surila Mlloja.
Mungesa e sigurisë është vetëm një ndër problemet.
Drejtuesit e institucioneve arsimore shprehin shqetësimin se vitet e fundit në shkolla nuk është vënë dorë as për lyerje apo riparime elementare.
Investimi në salla kompjuterike apo terrene sportive është luks.
"700 fëmijë pa sanitare është absurditet. S'kemi as roje, e as rrethim" tha një drejtoreshë tjetër.
Për shkak të mungesës së ambienteve në disa prej shkollave nxënësit i marrin dijet në korridor.
Problematikat u ngritën nga drejtuesit e instituciove arsimore gjatë një takimi organizuar nga zyra arsimore ku drejtuesit premtuan një bashkëpunim ndryshe për të ndryshuar realitetin që është krijuar.
"Kemi evidentuar 3 shkolla për të cilat bashkia Shkodër do të bëjë investim"
Problematikat në shkollat e Shkodres janë bërë publike edhe më herët në media, por bashkia e qytetit ndër vite zgjodhi t’i injorojë ato.
