Shkëputet ashensori i QSUT-së, pacientja 80-vjeçare në gjendje kritike. Dy të shoqëruar, verifikohet koalidimi

Një paciente 80-vjeçare u plagos rëndë pas këputjes së ashensorit në urgjencën e sëmundjeve të brendshme në QSUT.

Bashkë me pacienten që ndodhet në gjendje të rëndë, lëndime në të dyja këmbët pësoi edhe punonjësi që shtynte barrelën e saj ndërsa infermierja që shoqëronte 80 vjeçaren për ekzaminime, ka pësuar tronditje psikologjike.

Incidenti ka ndodhur një kat nëntokë, pasi infermieria ka shtypur butonin për ngjitje. Ashensori ka filluar lëvizjen, por në një moment ka ndaluar e më pas ka rënë në gropë.

Personeli i turnit në spital ka sinjalizuar policinë dhe më pas zjarrfikësen pasi dera e ashensorit nuk hapej dhe personat ishin bllokuar brenda. Situata është zgjidhur vetëm pas mbërritjes së zjarrfikësve në vendin e ngjarjes.

Policia e Tiranës ka shoqëruar dy personat e kontraktuar për mirëmbajtjen e ashensorit të cilët po merren në pyetje ndërkohë që është sekuestruar edhe dokumentacioni mbi shërbimet dhe kontrollet e kryera.

Grupi i hetimit ka marrë në pyetje bluzat e bardha të cilët janë shprehur se ashensori herë pas herë bllokohej për disa sekonda e me pas lëvizja vijonte normalisht.

Për ketë arsyë hetuesit po verifikojnë kontratën që QSUT ka nënshkruar me kompaninë Sulollari Klima. Ekspertët po verifikojnë koalidimin dhe mirëmbajtjen e e fundit që i është bërë ashensorit për të parë nëse janë respektuar kriteret teknike. QSUT në një reagim thekson se të gjithë ashensorët e spitalit mirëmbahen periodikisht nga subjekti i kontraktuar.