Gjirokastër, po transportonte 4 emigrantë të paligjshëm, prangoset 36-vjeçari

Policia e Gjirokastrës ka finalizuar operacionin e koduar "ROAD GUARD 18" goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit. 

Kështu, është vënë në pranga një 36-vjeçar i cili po transportonte 4 emigrantë të paligjshëm, si dhe është sekuestruar një automjet, një sasi parash dhe një aparat celular.  

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor "ROAD GUARD 18". Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi L. D., 36 vjeç, banues në Peshkopi. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë Rrugore kapën në flagrancë, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, në vendin e quajtur "Majkosh", shtetasin L. D., duke transportuar me automjetin tip "Ford", 4 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një aparat celular dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari kriminale.” – njofton policia.      

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale "Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve".