Dështim me tenderat, Spitali i Traumës cakton fituesin për pastrimin me negociim

"Planifikim në kohë dhe me cilësi që të shmanget përdorimi i procedurës me negociim pa shpallje paraprake, një kancer me të cilin prej disa vitesh në nivelin e qeverisë qëndrore i kemi larë duart".

Kështu deklaroi kryeministri, Edi Rama, në një takim të zhvilluar në korrik të një viti më parë me kryebashkiakët por faktet tregojnë të kundërtën.

Pas shumë muajsh ecejakeve, tendri për pastrimin e Spitalit të Traumës është dhënë pikërisht me negociim, pa shpallje paraprake dhe me argumentin e çuditshëm "pastrimi është në emergjencë."

Në fakt epopeja e këtij prokurimi me fond rreth 1.1 milion ka nisur në shtator të vitit të shkuar.

Në atë kohë kompanitë kundërshtuan fondin për pastrimin e spitalit, duke e cilësuar të ulët vlerën e 96 milion lekëve.

Llogaritja e kostove u dha të drejtë subjekteve duke anuluar tenderin, i cili u hap sërish në shkurt.

Sipas njoftimit të APP-së, thirrja është anuluar me argumentin se nuk ka pasur asnjë ofertë të suksesshme.

Madje rezulton se një subjekt edhe e ka ankimuar procesin e nisur fillimisht nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara.

I çuditshëm është fakti se pas kësaj Spitali i Traumës ka vendosur që të japë pastrimin me negociim të drejtëpëdrejtë, duke u justifikuar pas emergjencës dhe për këtë janë bërë pjesë dy kompani.

Subjekti "Pastrime Silvio", edhe pse ka dhënë ofertë pak më të ulët është tërhequr nga kontrata, ndërsa fondi prej 10 milion lekësh i është dhënë SORI-AL.

Ky veprim është renditur me flamur të kuq si sinjal për tender pa konkurim dhe me negociim.

Por po ashtu nuk ka asnjë të dhënë se cila është emergjenca dhe përse situata është zvarritur deri në muajt e rrezikut kur spitali të mbetej pa sanitare.

SORI-AL është kompania që ka fituar pa garë dhe në vitin 2018 tenderin e pastrimit.

Madje dhe në atë kohë u rendit me flamur të kuq.