Mediu: Duhet një kandidaturë e përbashkët e opozitës për president, jo bojkot procesit
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, bëri me dije se po diskutohet me opozitën që të kenë një emër kandidati të përbashkët për presidentin e ri të Republikës.
Mediu theksoi se ka diskutuar me grupin negociator të Rithemelimit, Oerd Bylykbashin dhe Luciano Boçin si dhe me Enkelejd Alibeajn.
Ai tha se do të dilet në një figurë të përbashkët si kandidat dhe se negociatat nuk janë përjashtuese, por të bazuara në kritere dhe kushtetutë.
Mediu: Duhet një kandidat, t’ia përcjellim, jo vetëm mazhorancës, por edhe opinionit publik. Kam diskutuar edhe me Bylykbashin dhe me Boçin edhe me Alibeajn. Ne jemi të qëndrimi i Aleancës për Ndryshim, duhet të kemi një figurë të përbashkët që të biem dakord. Të kemi një kandidaturë të përbashkët. Nuk kemi folur për emra. Duhet patjetër që të kemi një qëndrim të përbashkët.
Negociatat nuk janë përjashtuese, nëse përcaktojmë kritere të qarta, bazuar në kushtetutë, kemi shanse që të arrijmë në një marrëdhënie të përbashkët. Nuk mund të shkojmë në fund pa filluar procesin, fundi është kur vjen kandidatura, nëse nuk kanë konsensusin, atëherë opozita do ketë qëndrim për të mos ta votuar.
Opozita ka një detyrim në raport me kushtetutë, nuk shkoj te ideja që të bojkotojmë procesin dhe të themi që ngaqë bojkotuam ne Rama bëri çfarë të donte, nëse ka një kandidaturë të njëanshme që nuk ofron asnjë vlerë apo bashkëpunim politik, opozita të marrë qëndrimin e vet.

