Bisturi në qelitë e Drenovës, zbulohet skema e futjes së mjetit prerës në burgun e Korçës
Një bisturi është zbuluar në burgun e Drenovës në Korçë. Një i dënuar dyshohet se piu ilaçe me vetëdije për të përfunduar në Spital ku më pas vodhi mjetin prerës. Siguria e burgut të Drenovës u thye edhe një herë.
Një i arrestuar arriti të fusë brenda institucionit të sigurisë së lartë një bisturi kirurgjikale.
Objekti i ndaluar dhe i rrezikshëm u zbulua nga Policia e Burgjeve në qelinë e shtetasit me iniciale A.H. i cili mësohet se ndodhej në paraburgim.
Ky i fundit besohet se e vodhi bisturinë në Spitalin e Korçës, ku ishte trajtuar për konsum të tepërt të ilaçeve.
E gjitha besohet se ka qenë një skemë e planifikuar.
Dyshohet se i paraburgosuri në Drenovë ka përdorur me vetëdije barnat dhe më pas ka kërkuar trajtim spitalor.
Pas përmirësimit të gjendjes të tij shëndetësore ka vjedhur pjesë nga pajisjet mjekësore të stafit të urgjencës në Korçë.
Me sendet e ndaluara në trup ai ka arritur të rikthehet në qelinë e burgut të Drenovës, ku edhe është zbuluar.
Grupi i hetimit nga ana tjetër, mësohet se e ka shtrirë hetimin edhe në spitalit të Korçës, ku do të merren në pyetje personeli mjekësor që trajtoi të ndaluarin u vodhi bisturinë.
Shtetasi A.H. i arrestuar për vjedhje tashmë do të përballet dhe me akuzën për futjen e sendeve të paligjshme në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Ndërsa të paqarta për momentin mbeten qëllimet e tij për mjetin prerës në burgun e Drenovës.
Një skenar i ngjashëm në Burgun e Drenovës u zbulua edhe në Gusht 2021, kur një I dënuar vodhi një palë gërshërë në infermieri.
