Nëse në qeshor BE nuk ndez dritën jeshile, ndryshojmë menjëherë kurs, thotë Rama
Kryeministri Edi Rama është i vendosur të ndryshojë kurs nëse edhe këtë herë në 6 qershor BE nuk do i japë dritë jeshile për Shqipërinë.
Ç'ka do të thotë shkëputjen nga Maqedonia e Veriut.
Qëndrimin e tij e konfirmoi edhe në një intervistë menjëherë pas pas një takimi joformal që ka realizuar kryediplomati evropian, Josep Borrell me zyrtarë të lartë të Ballkanit Perëndimor.
Rama u shpreh optimist por nënvizoi se kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë.
Edi Rama: “Ne jemi në pozicionin që dihet, do presim dhe presidencën franceze. Këtu çështja është tek Bullgaria që ka marrë peng Maqedoninë dhe që si rezultat, ka bërë që ne të jemi peng i një ngërçi të madh që ne nuk kemi lidhje fare. Ndërkohë, besoj që të gjithë e kanë të qartë që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë.
Megjithatë, ne do të ndryshojmë menjëherë kurs, siç e kemi thënë dhe siç e kemi marrë nga Këshillimi Kombëtar në rast se nuk do të kalojë në fazën tjetër vendi ynë për t’u ulur formalisht në tryezë për negociata"
BE-ja ka paralajmëruar se diskutimet me vendet e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë javën e ardhshme në nivel të ministrave të Jashtëm.
Bashkimi Evropian u ka rikujtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor se përshtatja e qëndrimeve të tyre me vendimet e BE-së në politikë të jashtme dhe siguri, është element qendror në rrugëtimin e tyre evropian.
Kështu është thënë në një komunikatë të lëshuar nga autoritetet evropiane, pas një takimi joformal që ka realizuar kryediplomati evropian, Josep Borrell me zyrtarë të lartë të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë komunikatë është thënë se takimi ka qenë rast për të shkëmbyer mendimet rreth sfidave në rajon dhe të ardhmen evropiane të rajonit.
Pjesëmarrës në darkën në Bruksel ishin: ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik.
