Ishte kthyer në makth për vjedhjet në Tiranë, prangoset 39-vjeçari dhe 3 persona të tjerë

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Flagranca”, ku është vënë në pranga një 39-vjeçar për vjedhje.

Ky person i maskuar dhe nën kërcënimin e dy thikave, vodhi me dhunë disa bizhuteri në një banesë.       

Ndërkohë, autori i dyshuar ka pasur edhe precedent të mëparshëm kriminal për armëmbajtjes pa leje dhe goditje për shkak të detyrës.  

Hetuesit kanë arritur që të provojnë 10 raste të ndryshme të vjedhjes në banesa, që dyshohen se janë kryer nga 39-vjeçari.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Flagranca". Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: T. N., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Vjedhja me dhunë", i dënuar më parë për veprën penale "Goditja për shkak të detyrës" dhe me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje;  Shtetasi T. N. është kapur në flagrancë gjatë kohës që po vidhte disa bizhuteri, në një banesë në zonën e Liqenit të Thatë. Gjatë vjedhjes, 39-vjeçari është konfliktuar fizikisht me pronarin e banesës, shtetasin B. B., 32 vjeç dhe kushëririn e tij, shtetasin O. M., 33 vjeç.” – njofton policia.    

Shtetasi T. N., gjatë muajve të fundit, ka vjedhur shuma parash, bizhuteri, makinë, pajisje elektrike dhe elektronike, në 10 banesa, në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës.    

Gjatë kontrollit të banesës së shtetases M. F., e cila kishte lidhje shoqërore me shtetasin T. N., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde të dyshuar narkotike, të llojit kokainë.  

Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetases M. F. dhe i dy djemve të saj, shtetasve O. F. dhe A. F.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.