Verë më e varfër, eksperti i ekonomisë: Shqiptarët do kenë më pak lekë për të shpenzuar, ja çfarë e shpëton turizmin

Parashikime pesimiste vijnë nga ekspertë të ekonomisë për ekonominë familjare të çdo shqiptari.

Rritja e çmimeve që ka nisur prej kohësh tashmë ka filluar të ndjehet fort në xhepat e tyre.

Azmi Stringa në një intervistë për Rtv Ora me gazetarin Sebastian Zonja thotë se qytetarët do të duhet të përgatiten  për më pak të ardhura për të shpenzuar dhe kjo patjetër do të ndikojë edhe te turizmi.

Stringa: Rritja e çmimeve ka filluar të ndikojë në xhepin e qytetarëve. Qytetarët duhet të përgatiten që sipas parashikimeve që po ndodhin fatkeqësisht ata do të kenë më pak lekë për të shpenzuar. Nëse shohim një presion në shportën e ushqimeve dhe pijeve alkoolike që është rritur aktualisht 10% në krahasim me një vit më parë. Pjesa më e varfër konsumon një pjesë më të madhe të të ardhurave të veta në këtë shportë, tendenca është të kursejë në shpenzime, ose të ketë më pak mundësi paguese në shërbime apo shpenzime të fushave të tjera siç mund të jetë turizmi. Pritshmëritë për këtë vit janë që rritja e çmimeve të jetë 5-7%, rritja që ju bë pensionistë me 3.52% nuk mjafton, dhe shporta e ushqimeve 10-12% në krahasim me një vit më parë.

Sektori i turizmit do të mund të gjejë shpëtim vetëm te një rritje e mundshme e inflacionit në vendet perëndimore që do ta bënte Shqipërinë më atraktive përballë turistit të huaj por edhe kjo në varësi të sjelljes së operatorëve.

Stringa: Avantazhi jonë mund të jetë rritja e inflacionit në vendet e tjera të Perëndimit. Varet dhe nga sjellja e operatorëve ekonomikë që në mendimin tim në jug kemi disa çmime terësisht të paarsyeshme në krahasim me shërbimin, po ta marrim dhe me zona si Greqia. Ky është një absurditet i prishjes së çmimit nga klientela vendase, e cila ato lekë që i ka të fituara pa djersë, ka nevojë ti tregojë me vanitet në Shqipëri, nuk ka interes ta bëjë në Barcelonë se nuk bie në sy.

E ndërsa çmimet ngjitin majën, rrogat kanë mbetur vendnumëro.

Stringa: Rrogat nuk rriten me një të rënë të lapsit. Rritja e rrogave, e ekonomisë, e pensioneve, e shpërndarjes së rritjes ekonomike duhet të ndodhë në kohë të qeta ku ti të kesh mundësi të pasurosh një pjesë të mirë të qytetarëve. Kjo i mundëson të përballojë më lehtësisht një goditje të përkohshme që mund të vijë. Modeli jonë ekonomik nuk garaton rritje të të ardhurave të qytetarëve në mënyrë të barabartë. Ajo rritje ekonomike që ndodh përgjithësisht nuk ka shkuar te ata dhe as rritja e inflacionit nuk është reflektuar në rritjen e pensioneve dhe pagave.

Eksperti i ekonomisë komentoi edhe thirrjen që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i bëri qeverisë për shmangien e përdorimit të euros në kontratat shtetërore dhe duke kërkuar që institucionet të përdorin monedhën kombëtare.

Stringa: Ekonomia shqiptare nuk punon vetëm me monedhën e lekut. Kemi një eurizim të ekonomisë. Shqiptarët kanë gati gjysmë për gjysmë kursimet e tyre në valurë kundrejt kursimeve në lekë. Po kështu shumë nga gjërat kryesore si makina, apartamente, toka, kuotohen më lehtësisht në monedhën euro dhe pastaj konvertohen. Në banka gjen përdorimin si të lekut dhe euros për të marrë kredi. Po kështu shteti shqiptar e ka pak më të ulët ekspozimin por e ka përsa i përket borxhit, kemi dhe borxh në monedhën euro brenda vendit dhe në monedhën lekë. Kemi pastaj pjesën më të madhe të borxhit të jashtëm në valutë të huaj, gati sa gjysma e borxhit publik në monedhë euro jashtë Shqipërisë. Ka pasur një politikë të jashtëzakonshme këto vitet e fundit, politika e de-euroizimirt. Fatkeqësisht kjo politikë nuk ka dalë shumë e suksesshme, shqiptarët kanë preferuar dhe preferojnë të mbajnë edhe monedhën e fortë, çka për mua është diçka e mençur nga ana e tyre.