Më shumë ankesa për tenderat, kreu i KPP-së: 27% më shumë prapësime vitin e shkuar
Në raportin e KPP në Komisionin e Ligjeve është ngritur edhe një herë shqetësimi për kriteret e përdorura në procedura. Kreu i Komisionit ka theksuar se ankesat janë rritur me 27 përqind.
Kërkesa e kryeministrit Edi Rama për ti dhënë fund praktikave ku kriteret vendosen me porosi për të fituar kompani të paracaktuara nuk ka gjetur vend. Vetëm për vitin e shkuar janë raportuar 27 ankesa më shumë për tenderat.
Në raportimin në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Ligjore kreu i KPP theksoi se çështjet kanë të bëjnë me dokumentacionin e kërkuar, por edhe me fazën e vlerësimit.
"Vihet re një rritje e lehtë e numrit të ankesave pranë KPP-së me 27 ankesa. Nga 768 ankesa, 298 prej tyre ose 38.8% janë ankesa për kundërshtime mbi dokumentat e tenderit,470 ankesa ose 61.2% janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit".
Myzyri propozoi edhe zgjidhjen për shmangien nga situata.
"Kemi konstatuar një numër të lartë ankesash në lidhje me dokumentat e tenderit ndaj propozojmë nxitjen e hartimit të standardeve kombëtare për grup mallrash me përdorim të përgjithshëm për të cilat ndikojnë në sistem në drejtimin e mënyrës së hartimit të kritereve."
Problematika janë konstatuar edhe mbi procedurat për paraqitjen e ankesave.
"Pesë problematikat kryesore të identifikuara nga ankesat e paraqitura nga operatorët ekonomikë. Paraqitja e ankesës pranë KPP dhe autoriteteve kontraktore para se të nisin afatet e ankimit. Nuk kanë paraqitur ankimin e tyre sipas formularit standard të ankesës.
Operatorët ekonomikë kanë paraqitur ankimin e tyre pa paraqitur mandatin e pagesës duke përdorur formularin standard të paraqitjes së argumentave nga operatorët ekonomikë të interesuar dhe jo formularin e paraqitjes së ankesës, duke mos ezauruar shkallën e paraqitjes së argumentave pranë autoriteteve kontraktore dhe KPP-së sipas parashikimeve të pikës 1, nenit 113 të ligjit të prokurimit publik."
Në raportet e publikuara gjatë vitit, KPP ka bërë të ditur se rreth 50 përqind e tenderave kanë të bëjnë me prokurimet e zhvilluara në Tiranë.
