Ulen tarifat për sigurimet, komisionet në treg kanë zbritur me 9% në 3 mujorin e parë
Ulet niveli i komisionit të ndërmjetësimit në sigurimin e automjeteve. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare thotë se kjo është bërë e mundur përmes rregullores së miratuar në tetor, ndërsa ka sjellë dhe një administrim më të mirë të burimeve financiare të shoqërive të sigurimit.
Miratimi i rregullores së re te Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që hyri në fuqi më 1 janar ka sjellë ulje të ndjeshme të komisioneve në tregun e sigurimeve.
Në një deklaratë për mediet, AMF bën me dije se për tremujorin e parë të këtij viti policat kufitar edhe kartoni jeshil, kanë zbritur në një mesatare prej 18.5%, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar këto komisione ishin në masën 27.5%.
Në rregullore, u caktua një nivel tavan për komisionet e ndërmjetësimit që nuk mund të ishte më i lartë se 20% e primit të shkruar bruto me qëllim që të pengohen abuzimet që bëhen me sigurimet e automjeteve.
Gjithashtu, AMF thote se duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm komisionet e ndërmjetësimit për sigurimin e automjeteve do të ulen edhe më shumë pasi ato nuk duhet të jenë më shumë se 18% e vlerës së primit të shkruar bruto.
Megjithatë, thuhet se një pjesë e shoqërive të sigurimit kanë nisur të aplikojnë që në muajt e parë të këtij viti tarifa më të ulëta për agjentët.
Ashtu siç pritej, kufizimi i komisioneve të ndërmjetësimit, ka sjellë ulje të shpenzimeve të marrjes në sigurim për shoqëritë e sigurimit dhe për pasojë edhe një administrim më të mirë të burimeve të tyre financiare.

