Zusi: BSH po ndërhyn për të fuqizuar lekun dhe mbajtur euron e dobët. Politikë e gabuar me 1 mld euro kosto për ekonominë

Ekonomisti Alban Zusi në një intervistë për Ora News me gazetarin Arnond Kariqi u shpreh se të gjithë treguesit  ekonomik tregojnë rënie. Por ndërkohë, sipas tij, monedha jonë fuqizohet karrshi monedhës evropiane.

Gazetari: Është kjo një rritje e inflacionit në vend?

Alban Zusi: Kjo është një politikë kryekëput e gabuar e Bankës së Shqipërisë. Nuk ka lidhje me inflacionin. Është Banka e Shqipërisë e cila po ndërhyn në treg për të fuqizuar lekun dhe për të mbajtur euron e dobët. Por impakti i kësaj politike kryekëput të gabuar  është me një kosto mbi 1 miliard euro në ekonominë e vendit. Dobëson ndjeshëm, po shkatërron madje do të thoja, aftësinë konkurruese të bizneseve eksportuese. Të gjitha bizneset eksportuese vetëm për shkak të kësaj politike monetare sot kanë një të ardhur tre, katër a pesë përqind më të ulët se çe kishin deri para shtatë muajsh.  Bizneset prodhuese po ekspozohen ndaj një konkurence më të lartë nga prodhimet e importit.

Sipas tij edhe turizmi do të ekspozohet shumë shpejt në një të ardhur më të reduktuar. Zusi tha se i gjithë turizmi shqiptar do ta gjejë veten me 100 -150 milion euro më pak gjatë vitit.

Alban Zusi: Turizmi do të ekspozohet shumë shpejt në një të ardhur më të reduktuar sepse nëse kanë bërë kontrata për shembull për një dhomë me çmim 50 euro nata kur euro ishte 124 ose 125 tani që euroja do të jetë me 120 e mbase mund të bjeri akoma më poshtë për shkak të një fluksi që bie natyrshëm gjatë verës për shkak të flukseve që hyjnë por nuk ka kuptim të bjeri në këtë periudhë. I gjithë turizmi shqiptar do ta gjejë veten me diku tek 100-150 milion euro më pak gjatë vitit.  

Përveç gjithë goditjeve të tregjeve ndërkombëtare që ne nuk i evitojmë dot ne kemi edhe goditjen që na vjen nga politika monetare e gabuar e Bankës së Shqipërisë, u shpreh ai.

Zusi thotë se Banka e Shqipërisë duhet të bëjë transparencë pse po e bën këtë.