Tabaku: Rritja e çmimeve e palogjikshme, qeveria të zgjidhë situatën, mori 1 miliard euro borxh për të blerë energji

PD kërkon ngritjen e një Komisioni që do të verifikojë kontratat që lidhen me investimet strategjike.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku në një lidhje të drejtpërdrejt për Ora News është shprehur se ligji për investime strategjike i heq të drejtën pronarëve për të negociuar për tokën e tyre me palë të treta dhe ja kalon këtë shtetit. Sipas saj shteti më pas ja jep pronën private dikujt tjetër, gjë e cila për deputeten është e padrejtë.

Nëpërmjet ngritjes së Komisionit ata kërkojnë transparencë për të gjitha vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike

Jorida Tabaku: Ligji për investime strategjike i heq të drejtën pronarëve për të negociuar për tokën e tyre me palë të treta që duan të bëjnë investime strategjike dhe ja kalon këtë shtetit. Domethënë shteti shpronson një pronë private dhe ja jep një privati tjetër.  Kërkojmë transparencë për të gjithë vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike, duke përfshirë, portin e Durrësit, vënien e një sërë investimeve strategjike në jug të Shqipërisë, por në mënyrë të veçantë kërkojmë arsyet se përse është shtyrë ky ligj dhe për të investiguar faktin se a ka me të vërtetët investime të huaja apo jo dhe për të kuptuar lidhjet klienteliste.

Tabaku është ndalur edhe tek rritja e çmimeve duke thënë se janë rritur në mënyrë abuzive e pa vendim të Entit Rregullator

Jorida Tabaku: Aktualisht kanë ndodhur dy procese  të ndryshme. Për një fashë  biznesesh prej 7 mijë biznesesh, çmimi I energjisë është rritur pa asnjë vendim të Entit Rregullator, që do të thotë në mënyrë abuzive e të padrejtë, dhe kjo i ka hapur rrugën rritjes zinxhirë të çmimeve.

Së dyti qeveria ka njoftuar edhe për një rritje tjetër të çmimit të energjisë për një grup të caktuar familjesh, duke prezantuar një fashë të re. Në gjykimin tonë kjo është ajo politikë që PS e ka sulmuar, dhe një politikë për të cilën shumë  persona kanë përfunduar në burg. Ky është një vendim që nuk do të vij për të diskutuar në parlament, do të jetë një vendim i entit rregullator të energjisë pas një kërkese të ministrisë.

Ajo tha se zgjidhja për sistemin e energjisë duhet të vijë nga qeveria pasi kjo e fundit ka marrë 1 miliardë euro borxh për të blerë energji.

Tabaku e konsideron të palogjikshme rritjen e çmimeve për qytetarët por edhe për bizneset.

Jorida Tabaku: Në një situatë  të tillë zgjidhja për sistemin e energjisë duhet të vijë nga qeveria, por jo për rritjen e çmimit, duhet të vij për ekonomizimin e shpenzimeve të buxhetit dhe se si mund të subvencionohet energjia elektrike. Rritja e çmimit  si për bizneset ashtu dhe për qytetarët është e palogjikshme, pasi qeveria ka marrë 1 miliardë euro borxh për të blerë energji.

Më tej Tabaku theksoi: Nuk ka një rritje ekonomike, por ka një rritje shumë të lartë çmimesh dhe kjo krijon një ngërç në treg nëse nuk shoqërohet me masa të tjera nga ana e qeverisë. Qeveria vjen në parlament merr borxh për energjinë dhe nuk bën një rishikim të shpenzimeve. Qeveria ka vuajtur nga mungesa e vizionit, ka vuajtur nga arroganca, nga babëzia.