Guvernatori i Bankës së Shqipërisë: Qeveria të punojë me lekë dhe të mbështesë shtresat me pak të ardhura

Guvernatori, Gent Sejko, i kërkoi Qeverisë shqiptare të vijojë mbështetjen për shtresat në nevojë pasi çmimet e rritura kanë tejkaluar parashikimet e Bankës së Shqipërisë. Në raportimin në Komisionin e Ekonomisë, Sejko i sugjeroi qeverisë të shmangë përdorimin e euros në kontratat shtetërore dhe kërkoi që institucionet të përdorin monedhën kombëtare. Jorida Tabaku fajësoi qeverinë për rritjen e çmimeve, që sipas saj ka nisur para luftës në Ukrainë.

"Politika fiskale duhet të vijojë të ofrojë mbështetje financiare për shtresat me të ardhura të ulëta të shoqërisë dhe për sektorët më të ekspozuar ndaj goditjes”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë gjatë prezantimit të raportit për vitin e kaluar, i sugjeroi Qeverisë të shfrytëzojë të ardhurat nga çmimet e rritura dhe të shkurtojë shpenzimet joprioritare.

Sipas deputetes demokrate, Jorida Tabaku, rritja e çmimeve në Shqipëri ka nisur verën e vitit të shkuar dhe qeveria nuk mori asnjë masë.

Tabaku: Që në verë është nxitur një rritje çmimesh në disa sektorë të veçantë dhe produkte të veçanta. Qeveria në vend të merrte masa, mori kredi në formën e Eurobondit.

Ndërkohë, shqetësim për opozitën është niveli i lartë i borxhit publik.

Tabaku: Rritje e borxhit publik në nivelet 70% dhe nëse llogarisim të dhënat nga PPP, borxhi i fshehur, detyrimet e Arbitrazhit, borxhi publik real e kalon shifrën e 100% të PBB-së.

Lidhur me këtë situatë, Banka e Shqipërisë tha se përgjegjëse është Qeveria, ndërsa bëri me dije se i ka rekomanduar të krijojë një njësi të specializuar për Partneritetet Publikem Private.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Sejko lidhet me përdorimin e lartë të euros.

Sejko: Nuk ka arsye pse të përdoret euro për shitblerje për produkte. Në Shqipëri e vendosin edhe te trau. Institucionet duhet ta shmangin euron, duhet të punojnë me monedhën vendase.

Ndërkohë sa i përket Bordeve të Transparencës, Banka e Shqipërisë deklaroi se nuk ka një shifër konkrete për ndikimin që kanë patur në nivelin e inflacionit.