Tenderi i ARRSH-së, fituesi pa garë, 4.3 mln euro për përmirësimin e sinjalistikës rrugore të 3 rajoneve

Mungesa e konkurrencës vijon të jetë prezente në tenderat me vlerë të lartë që prokurohen nga institucionet shtetërore. Së fundmi, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesit e dy tenderave për përmirësimin e sinjalistikës rrugore në akset e rajonit qendor dhe verior me fond limit 357.4 milionë lekë.

4.3 milionë euro do të japë Autoriteti Rrugor Shqiptar për vendosjen e sinjalistikës së re rrugore në 3 rajone sipas nevojës që ka në dispozicion secili prej tyre.

Sipas dokumenteve të tenderit, procedura është e ndarë në 3 lote dhe përfshin përmirësimin e sinjalistikës rrugore në akset e rajonit verior, rajonit qendror dhe atij jugor.

Në dokumentet e kësaj procedure është saktësuar se fondi në dispozicion është i vlefshëm për tre vite buxhetore.

Për lotin e parë të kësaj procedure me fond limit 191 milionë lekë kanë shfaqur interes dy kompani.

Fitues është shpallur operatori Jubica shpk në pronësi të Ndoc Kullës, i cili ka kërkuar 181 milionë lekë, 11 milionë lekë më shumë se konkurrenti tjetër RSM Company.

Ky operator është skualifikuar nga gara me argumentin se nuk ka dëshmi për përvojë të ngjashme dhe drejtuesi teknik është me profesion topograf dhe jo inxhinier ndërtimi siç kërkohet në dokumentet e tenderit.

Ndërkohë, për lotin e dytë ka shprehur interes vetëm bashkimi i operatorëve “R. S. & M” dhe “SI.SI-AL sh.p.k”.

Referuar të dhënave të Agjencisë së Prokurimeve Publike ky bashkim kompanish, i cili ka kërkuar një vlerë të përafërt me fondin limit është shpallur dhe fitues pasi nuk ka pasur asnjë konkurrent përballë.

Open Data e ka shënuar këtë tender me simbolin e flamurit të kuq me shënimin mungesë konkurrence. Ndërkohë brenda pak ditësh pritet të shpallet dhe fituesi i lotit të tretë.

Denoncimet për tendera pa garë dhe sinjalizimet e Agjencisë së Prokurimeve Publike për shkelje të procedurave nga institucionet shtetërore dhe ato të qeverisjes vendore duket se nuk kanë pasur asnjë ndikim.