Sejko: Lufta në Ukrainë solli rritjen e çmimeve dhe pasigurisë, në mars inflacioni arriti në 5.7%

Në një dalje për media, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri me dije se Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të mos ndryshojë qëndrimin për politikën monetare.

Ndërkohë, Sejko theksoi se konflikti në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë sollën ndërprerje të reja në zinxhirët globale dhe shtuan pasigurinë për të ardhmen.

Ai shtoi se inflacioni u rrit duke shënuar nivelin mesatar 4.4%, ndërsa tha se rritja e inflacionit ishte e shpejtë në mars ku shifra arriti në 5.7%.

Sejko: Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mos ndryshojë qëndrimin e politikës monetare. Informacioni i ri i marrë në analizë tregoi se presionet inflacionit ne tregjet botërore rezultuan më të forta sesa pritjet tona në fillim të vitit. Konflikti në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë sollën ndërprerje të reja në zinxhirët globale dhe shtuan pasigurinë për të ardhmen. Ato u pasuan nga një rritje e çmimeve në tregjet botërore dhe lëvizje agresive të bankave qendrore në drejtim të shtrëngimit të politikës monetare. Inflacioni u rrit duke shënuar nivelin mesatar 4.4%.

Rritja e inflacionit ishte e shpejtë në mars ku shifra arriti në 5.7%. Rritja e inflacionit u shkaktua nga goditjet e ofertës te ardhura nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës. Paralelisht me këto trendi ritës i inflacionit ka pasqyruar rimëkëmbjen ekonomike si dhe tendencën në rritje të pritjeve për inflacionin. Sipas INSTAT PBB u rrit me 8.5% gjatë 2021 duke tejkaluar nivelet e regjistruara para tërmetit dhe pandemisë. Rritja e punësimit solli rënien në 11.4% të normës së papunësisë.