Testi psikologjik, Sulçe: I nevojshëm për shoferët problematikë

Drejtuesit e mjeteve që kryejnë shkelje rrugore në mënyrë të përsëritur duhet ti nënshtrohen testit psikologjik me qëllim parandalimin e aksidenteve.

Përveç 2 testeve atë të alkolit dhe të drogës ekspertët thonë se nevojitet edhe testi psikologjik.

Ky test i cili ka një përdorim të gjerë në vendet e Bashkimit Europian kryesisht në Gjermani dhe Hollandë u bëhet drejtuesve të mjeteve të cilët demonstrojnë sjellje të pazakonshme.

Artur Sulçe, ekspert për sigurinë rrugore tregon se testi psikologjik do të ishte efikas në uljen e aksidenteve. Sipas tij drejtuesit e mjeteve duhet të kalojnë në analizën e psikologut dhe psikiatrit.

Artur Sulçe: Ashtu sikurse një psikolog përcakton dhe gjendjen shpirtërore pas një traume do të përcaktojë edhe gjendjen e tij dhe të japë letrën për drejtuesin e automjeteve nëse i plotëson kriteret si njeri normal për drejtimin apo jo.

Një ide e tille u prezantua në vitin 2020 nga ish Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

Sandër Lleshaj: Ka ardhur koha të mendojmë për testet psikologjike të cilat në rastet e drejtuesve të cilët nuk sillen në përputhje me normat ligjore, por nganjëherë nuk sillen ose tejkalojnë disa norma të tjera të sjelljes në rrugë. Ka ardhur koha për të menduar dhe për testet psikologjike që tentojnë të verifikojnë stabilitetin e sjelljes së tyre. Në hapsirën gjermanike quhet "idiot në test" pra  "testi i idiotit".

Dy vitë nga ky premtim testi psikologjik ende nuk ka gjetur përdorim në rrugët tona. Testi konsiston në 50 pyetje të cilat kanë të bëjnë kryesisht me informacione logjike. Drejtuesit e mjeteve që nuk e kalojnë analizën, humbasin lejen e drejtimit.