Fier, kishte hapur kopsht fëmijësh pa licencë, procedohet penalisht 39-vjeçari

Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar "Informaliteti 4", për goditjen e rasteve të ushtrimit të aktivitetit në kopshte, pa licencën përkatëse.  

Kështu, është proceduar penalisht pronari i kopshtit privat me akuzën e "Fshehja e të ardhurave" dhe "Mospagimi i taksave dhe tatimeve".

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. A., 39 vjeç, banues në Fier, për veprat penale "Fshehja e të ardhurave" dhe "Mospagimi i taksave dhe tatimeve", pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen "Kastriot", në subjektin në pronësi të tij (kopsht privat), u konstatua se ky subjekt nuk ishte licencuar nga ana e Ministrisë së Arsimit, për kryerjen e këtij aktiviteti.“ - njofton policia. 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.