Pas apelit në Ora News, Kryqi i Kuq ndihmon me ushqime çiftin që jetonte në varfëri ekstreme
Emisioni "Ora Juaj" në Ora News i moderatorit Klodi Karaj është bërë shkak që familja Shukullli të ndihmohej. Pas kronikës së transmetuar është sensibilizuar Kryqi i Kuq Shqiptar duke kontribuar me artikuj ushqimorë, detergjentë etj.Teksa nuk mund ta fshehë lumturinë, 67- vjeçari falenderon Ora News dhe Kryqin e Kuq, ndërsa apelon sërish për ndihmë pasi kushtet ku ai jeton janë të mjerueshme.
"Çfarë të them unë, shikojeni vetë."
Thirrjes për ndihmë të familjes Shukulli në rrugën "Arjan Sala" në Laprakë iu bashkua Kryqi i Kuq dega Tiranë duke kontribuar me batanije, artikuj ushqimorë, detergjentë etj.
"Kemi sjellë një pako ushqimore, do ti ndihmojmë dhe në vazhdimësi. U jemi mirënjohës që bëheni pjesë e grupit të identifikimit të këtyre familjeve dhe pjesë e ndihmës së vazhdueshme."
Koço, kryefamiljari i shtëpisë nuk ndal falenderimet ndaj Kryqit të Kuq dhe Ora News.
"Shumë faleminderit, Zoti na ndihmoftë të gjithëve."
Sakaq ky mision humanitar mori përsipër që ta ndihmojë familjen edhe më një vakt ushqimi në ditë.
"Po mendojmë dhe tu ofrojmë një vakt falas në Qendrën Sociale të Kryqit të Kuq meqenëse të dy janë në pamundësi për të gatuar, drita nuk kanë".
Familja e Koço Shukullit prej vitesh jeton në terr, ndërsa sikur të mos mjaftonte kjo çifti vuan dhe nga probleme shëndetësore.
Të ardhurat e tyre janë të pamjaftueshme e shpesh i zoti i shtëpisë detyrohet të mbledhë kanaçe.
Ata i bëjnë apel institucioneve që të paktën të instalojë rrjetin elektrik. Thirrja për ndihmë shkon dhe për këdo që ka mundësi.
"Gruan po bëj 20 vjet që e mbaj shtrirë me të ngrënë e me të pirë, errem natë-ditë për ta mbajtur me bukë dhe gjellë."
Rasti i familjes u bë publik në emisionin "Ora Juaj" të moderatorit Klodi Karaj, ku çdo kërkesë apo denoncim nga qytetarët i kalon gazetarëve të tjerë për verifikim.
