Drafti i Alibeajt, PS s’e pranon për Presidentin: I vlefshëm vetëm në rastin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit

Partia Socialiste nuk do të pranojë të bëhet “noteri” i PD për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Drafti i demokratit, Enkelejd Alibeaj, që opozita të propozojë 4 kandidatë dhe mazhoranca të zgjedhë 2 emra prej tyre, cilësohet nga kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, si një dokument me dëshira politike.

Balla: Propozimi i tyre është një propozim maksimalist, një propozim që i heq shumicës të drejtën të propozojë. Megjithatë e përshëndes që ka një propozim. Ka një gatishmëri të grupit parlamentar të PD për tu ulur. Jemi të gatshëm që të ulkemi që nesër për të diskutuar propozimet tona dhe propozimet e tyre. Kjo do të ishte zgjidhja e tyre.

Me të përfunduar konferenca e kryetarëve nesër, të ulemi dhe të diskutojmë. Më duket pa vend që të vish në një tryeze dhe t’i thuash tjetrit ti nuk ke të drejtë të propozosh. Ne kemi qenë shumë të hapur dhe jemi shprehur që pjesë  e propozimeve të jetë çdo qytetar shqiptar. Nesër në orën 12:30 është njoftuar për konferencën e zyrtarëve, nesër fillon zyrtarisht procesi deri në raundin e pestë.

Dua të kemi një president të gjithë shqiptarëve jo president të PS. Nëse do e donim këtë, i kemi numrat dhe do ta zgjidhnim. Propozimi që vjen nga PD është shumë i vlefshëm në rastin e zgjedhjes së avokatit të popullit, në rastin e zgjedhjes së avokatit e ka të drejtën të zgjedhë vetëm opozita.

Balla i kujton Alibeaj që vendimi i mazhoancës për të mos kandiduar deputetët socialistë nuk lë hapësira që këtë post ta marrin politikanët nga kampi demokrat.

Balla: Ne nuk duam që të jetë një President i yni, por nuk duam të jetë një President i asnjë partie politike. Shqipëria e pati një President të opozitës dhe Ilir Meta ishte shembulli më i keq.

Për zgjedhjen e Kreut të Shtetit, mazhoranca nuk e pranon draftin e Alibeajt, por Balla e këshillon që ta përdorë për një tjetër proces në të cilën është hapur gara në Parlament.

Balla: Në rastin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit të drejtën ekskluzive të propozimit e ka vetëm opozita.

Të martën në orën 12:00, socialistët dhe demokratëtt do të ulen sëbashku në Konferencën e Kryetarëve për të caktuar raundin e parë për zgjedhjen e Presidentit.

Mazhoranca ka propozuar 16 majin, ndërsa afati për dorëzimin e kandidaturave me firmën e 20 deputetëve është 15 maji.