Aksidenti tek Rruga e Kavajës, shoferi ishte gjobitur 8 herë. Dëshmia në komisariat

Familja e aksidentuar të dielën në Tiranë nga Ajas Sulejmeni ndodhet jashtë rrezikut për jetën ndërsa 39-vjeçari që drejtonte mjetin do të dalë të martën para gjykatës për të paktën tri akuza të rënda. Përvec gjobës prej 100 mijë lekësh dhe heqjes së patentës për dy vjet drejtuesi i mjetit rrezikon dënim penal me mbi 5 vjet heqje lirie. Ekspertët rrugorë thonë se drejtuesi i mjetit G-Class, ka kryer së paku tri shkelje ndërsa nga viti 2017 ai ishte gjobitur tetë herë.

Bashkëshortët Arjan dhe Viola Konomi dhe foshnja e tyre 3 muajshe të cilët u përfshinë në aksidentin rrugor të së dielës në Tiranë ndodhën jashtë rrezikut për jetën. Pas analizave në spital ka rezultuar se Arjani ka fraktura në trup ndërsa e shoqja Viola ka pësuar hemorogji të brendshme. Fatmirësisht foshnja e tyre ka shpëtuar pa dëmtime me përjashtim të një gërvishtje në faqe.

Burimet bëjnë me dije se automjeti që shkaktoi aksidentin I drejtuar nga Ajas Sulejmani, është shoqëruar 3 javë më parë me dyshimin se mund të ishte i vjedhur, por që nuk ka rezultuar i tillë. Ora News ka zbardhur historikun e gjobave të autorit të ngjarjes, I cili numëron 8 masa administrative që prej vitit 2017 e ndërsa penalizimi I fundit ishtë në 15 prill të këtij viti. Gjobat e vendosur ndaj tij janë për tjekalim shpejtësie, për shkelje te semaforit, mos përdorimin e rripit te sigurisë dhe xhama të errësuar.

Eksperti  Arben Luzi thotë se shoferi i mjetit G-Class ka kryer të paktën 3 shkelje rrugore gjatë aksidentit.

Arben Luzi: Kur drejtuesi i mjetit ka kaluar, në atë moment semafori ka qenë me dritë të kuqe. Mjeti tjetër ka ndalur dhe ju ka dhënë përparësi këmbësorëve por dhe sikur semafori të qe jeshil, prapë drejtuesi i mjetit ka për detyrë të kalojë me shumë shumë kujdes.

Pas testit të drogës ku 39 vjeçari ka dalë pozitiv, Sulejmani  është justifikuar se merrte disa substance me qëllim rritjen e masës muskulore pasi merrej me palestër. Të martën pritet që drejtuesi i mjetit të dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë. Ai akuzohet për shkelje semafori, aksidentim të këmbësorëve, mosdhënie ndihme për të aksidentuarit, largim nga vendi i aksidentit dhe drejtim mjeti nen efektin e narkotikeve. Policia ka vendosur edhe ndëshkim administrativ ndaj të riut, me gjobë 100 mijë lekë të reja dhe heqje patente për dy vite.