21-vjeçari u iku nga duart, 4 punonjës të policisë në Korçë nën hetim

Arratisja disa orëshe e 21-vjeçarit Kristian Medolli nga gjykata e Korçës është bërë shkak për nisjen e procedimit penal ndaj 4 punonjësve të policisë. Tre inspektorë bashkë me komisarin Maringlen Jaçellari si epror I tyre, janë referuar për ndjekje penale për shpërdorim detyre pasi akuzohen se kanë shkelur rregullat gjatë shoqërimit të personit të arrestuar në gjykatë.

Katër punonjës policie mes të cilëve tre inspektorë dhe një komisar, u proceduan penalisht për arratisjen e 21-vjeçarit Kristian Medolli i cili fitoi lirinë për disa orë pasi u largua nga garazhi i gjykatës së korçës mesditën e të dielës. Agjencia e mbikëqyrjes policore tha se pas hetimeve të para, ka referuar në prokurori dosjen penale për akuzën shpërdorim detyre ndaj tre inspektorëve, Guri Stillo, me detyrë Përgjegjës i zonave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë, Fahri Selishta, me detyrë Trupë shërbimi i patrullës së përgjithshme, në Komisariatin e Korçës dhe Enea Selimaj, me detyrë Trupë shërbimi i Patrullës së Përgjithshme. Për të njëjtën akuzë është proceduar edhe komisari Mariglen Jaçellari, me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Korçës.

21-vjeçari Kristian Medolli është arratisur gjatë shoqërimit në ambientet e Gjykatës së Korçës për vlerësimin e masës së sigurisë, në momentin kur ka qenë duke hipur në mjetin e policisë. Ai u ka shpëtuar dy punonjësve të policisë dhe është kapur disa orë më vonë I fshehur në shkurre pranë një kishe në periferi të Korçës.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se dy punonjësit e policisë, Guri Stillo dhe Fahri Selishta, nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar. Po kështu, Inspektori Enea Selimaj, në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe në cilësinë e përgjegjësit të patrullave, ka bërë njoftimin vetëm të njërit prej punonjësve të patrullës për shoqërimin në gjykatë të 21-vjeçarit të arrestuar për vjedhje Kristian Medolli.

Agjencia e mbikqyrjes policore dyshon se Komisari Mariglen Jaçellari, në cilësinë e eprorit të drejtpërdrejtë dhe në mungesë të Specialistit të Rendit, në kundërshtim me ligjin, nuk ka marrë masa për organizimin e shërbimeve për shoqërimin e të arrestuarit në gjykatë.

Kristian Medolli akuzohej se kishte vjedhur një motor frigoriferi dhe një biçikletë ndërkohë që tentoi të rifitonte lirinë sapo mësoi vendimin e gjykatës. Pavarësisht arratisjes ai u arrestua disa orë më vonë nga forcat e policisë.