Përplasja në PD për presidentin/ Alibeaj thërret kryesinë e grupit parlamentar, e braktisin Boçi e Salianji

Enkelejd Alibeaj ditën e sotme ka thirrur kryesinë e grupit parlamentar të PD-së.

Në këtë mbledhje kanë refuzuar të jenë pjesë Luçiano Boçi dhe Ervin Salianji. Mbledhja e kryesisë po zhvillohet nga Alibeaj, deputeti Arbi Agalliu dhe Oriola Pampuri.

Sakaq mbledhja e grupit parlamentar e thirrur po nga Alibaj do të mbahet në orën 14:00

Çështja kryesore që do të diskutohet do të jetë zgjedhja e presidentit të ri, duke qenë se Ilir Metës i mbaron mandati më 24 korrik.

Deputetët nga Grupi i Rithemelimit kanë refuzuar që të jenë pjesë e kësaj mbledhje duke qenë se nuk e njohin Alibeajn si kreu i grupit parlamentar.

Ditën e djeshme Enkelejd Alibeaj ka publikuar një draft të grupit të Partisë Demokratike për procesin dhe kriteret e zgjedhjes së presidentit.

Kështu, në draft theksohet se opozita propozon 4 kandidatë për President të Republikës nga fusha të ndryshme.

Në draft thuhet se kandidati për kreun e shtetit i ri, të mos jetë i aktivizuar në 5 vitet e fundit në asnjë parti politike.

“Kandidati për President të Republikës, përgjatë përvojës profesionale të tij, duhet të ketë dëshmuar publikisht aftësi të spikatura të integritetit, në kuptimin e kontributeve politike, ku të ketë dëshmuar aftësi për të vendosur në situata të vështira dhe aftësi për të përballur presionin/ndikimin e papërshtatshëm politik. Dëshmitë për angazhimin dhe përkushtimin e tij në kauza të rëndësishme civile përbëjnë avantazh;” – theksohet ne draft.

Po ashtu, PD bën me dije se kandidati për President të Republikës duhet të bëjë transparencë të plotë dhe të dokumentuar të të gjitha të ardhurave dhe ligjshmërisë së pasurisë, si dhe të pagimit të të gjitha detyrimeve tatimore, bazuar në dokumentacionin zyrtar të institucioneve shtetërore përgjegjëse.