Lanabregasi i pakalueshëm, Ujësjellësi futi tubat dhe u la rrugën baltë, nuk shkon as autobusi

Zonat periferike të Tiranës, të harruara edhe nga njësitë administrative përkatëse kanë gjithmonë proobleme me infrastrukturën. Një situatë e tillë e përsëritur prej vitesh vijon në Lanabregas. Punimet e lëna përgjysmë i kanë bërë rrugët atje të pakalueshme.

Që prej fillimit të rrugës, e cila të sjell në Lanabregas, e deri pranë qendrës së saj, afro 5 km, gjendja e rrugës është e tillë. Kjo për shkak të punimeve të Ujësjellësit në rrugë, të cilat prej muajsh e kanë lënë rrugën në këtë gjendje.

Banorët e zonës janë shumë të shqetësuar për këtë situatë pasi punimet kanë mbetur përgjysmë, dukë e bërë rrugën në disa segmente të pakalueshme.

"Ujësjellësi apo kush i bën këto kanalizimet, kanë bërë punime dhe i kanë lënë gjysma-gjysma. Duhet ti përfundojnë, siç e gjetën  ashtu ta lënë."

Për shkak të punimeve as urbani nuk kalon dot më këtu.

"Duhet të zbresim në qendër të Uzinës, gjysmë ore të ecësh që të marrësh autobusin."

Në këto ditë shirash e lagështie kalimi në këtë rrugë bëhet edhe më i vështirë.

"Lumë fare, nuk kalohet. Në dimër ngrin akull."

Por shirat, nuk janë e vetmja arsye.

"Edhe kur nuk është shi bëhet pluhur i madh, nuk del dot në rrugë."

Punimet e herëpashershme nuk kanë qenë të mjaftueshme për të normalizuar infrastrukturën e zonës.

"Duhet pusetë që mos të na vijë uji këtu."

Prej vitesh, situata bëhet edhe më stresuese për banorët.

"Nuk dalim dot në rrugë, taksat i paguajmë dhe rrugën e lënë kështu."

"Rruga është skandal fare prej vitesh, nuk del dot në rrugë. Pa hapë portën vjen uji dhe futet në magazinë poshtë."

Banorët kërkojnë që instancat përkatëse të mbajnë përgjegjësi për rregullimin e rrugës sa më parë.