Prostitucion në qendër masazhi në Tiranë. Arrestohet çifti, punësoi 21 vjeçaren për prostitucion

Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion të koduar "Couple 1" ku është goditur një tjetër rast i prostitucionit në qendra masazhi. 

Kështu, në kuadër të këtij operacioni janë vënë në pranga 2 shtetas, si dhe procedohet penalisht punëtorja e qendrës së masazheve. 

Aktiviteti ishte i regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, por në këtë ambient ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit. 

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Couple 1", në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:  F. D., 39 vjeç dhe M. E., 33 vjeçe (bashkëjetues), për veprat penale "Shfrytëzimi i prostitucionit" dhe "Mbajtja e lokaleve për prostitucion". Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasja I. A., 21 vjeçe, për veprën penale "Prostitucioni".  Shtetasit F. D. dhe M. E. administronin një qendër masazhesh, në rrugën "Shyqyri Bërxolli", në të cilën kishin punësuar shtetasen I. A.” - njofton policia. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.