Incineratorët, Tabaku: Alqi Bllakon e detyruan të dorëhiqet si deputet, ja arsyeja
Deputetja Jorida Tabaku, në një lidhje të drejtpërdrejt për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, është ndalur sërish të çështja e incineratorëve, duke thënë se ka komunikuar me SPAK dhe se hetimet në lidhje me këtë aferë po vazhdojnë.
Tabaku tha se Alqi Bllakon e detyruan që të japë dorëheqjen nga deputet, në mënyrë që të mos bëhej një seancë publike për të diskutuar përfshirjen e tij në aferën e incineratorëve.
Jorida Tabaku: Kam këmbyer disa komunikime me drejtuesin e SPAK gjatë, në përfundim dhe pas Komisionit Hetimor, i kam dërguar disa shkresa për t’u interesuar për ecurinë e punimeve. Përgjigjet janë pjesë e sekretit hetimor dhe unë nuk mund t’i bëjë publike, por di të them se hetimet vazhdojnë. Kam lexuar dosjen hetimore të plotë të Alqi Bllako-së dhe e kuptoj arsyen se përse e detyruan Alqi Bllakon të japë dorëheqjen nga mandati i tij dhe të mos lejoj të bëhej një seancë publike për ta diskutuar atë.
Ajo tha se ka lexuar dosjen e Alqi Bllakos, dhe sipas saj të dhënat në dosje janë shqetësuese pasi në këtë aferë janë të përfshirë edhe persona të tjerë.
Jorida Tabaku: Të dhënat atje janë jashtëzakonisht shqetësuese, tregojnë se janë të përfshirë edhe persona të tjera, por nga ana tjetër tregojnë se SPAK po vazhdon hetimet.
Deputetja foli sërish për situatën ekonomike, duke thënë se mënyra se si është menaxhuar kriza në vendin tonë është e gabuar.
Jorida Tabaku: Mendoj se i gjithë drejtimi ekonomik është i gabuar, mendoj se mënyra se si është menaxhuar kriza është e gabuar, mendoj se duhet të jemi për një qeveri të vogël, duhet të rishikojmë mënyrën tonë të shpenzimeve, që duhet të përshtatemi me dinamikat që ofron tregu, mendoj se duhet të mbështesim fashën e mesme. Jam e sigurt që qeveria nuk do të dëgjoj mua ose sugjerimet e mia, por nuk do të rresht për të thënë mendimet e mia se çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga kriza.
