Vetëvarja e të riut, Gledis Nano nis grup inspektimi në Komisariatin e Kavajës
Ngjarja e rëndë, ku një 31-vjeçar i ndaluar në komisariatin e Policisë Kavajë, është gjetur nga shërbimet e Policisë i vetëvarur në dhomat e izolimit ka vënë në lëvizje Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Gledis Nano ka dërguar menjëherë në Komisariatin e Policisë Kavajë, një grup inspektimi, të përbërë nga specialistë të Departamentit të Sigurisë Publike dhe të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar nëse janë zbatuar ose jo procedurat standarde për sigurinë e personave të shoqëruar, të arrestuar dhe të ndaluar nga ana e Komisariatit të Policisë Kavajë.
Veprimet hetimore po kryhen nga një grup i posaçëm hetimor i Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Policia e Shtetit nuk është pjesë e këtij hetimi por thotë se mbetet e angazhuar dhe e interesuar për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Ilvi Meta, ishte arrestuar si person i dyshuar për disa vjedhje në këtë qytet.

