"Me 7 maj hyj në garë për kreun e PD", Berisha: Do ti imponohem mazhorancës për ndryshimin e kodit zgjedhor

Në 7 Maj është afati kur do të paraqiten kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike. Në udhëzimin e Komisionit të Organizimit të selisë blu përcaktohen tre dokumentet që duhen dorëzuar.

Përballë gazetarëve, Sali Berisha nuk përjashtoi përfshirjen në garë, por po ashtu nuk komentoi as sfidantët e mundshëm.

"Sot u informova për vendimin e Komisionit. Do respektoj afatet e caktuara. E kam thënë që do kandidoj, nuk ka gjë të re. Gara ime nuk bëhet për rivalët por për anëtarët e PD. Unë paraqitem për të kërkuar votën dhe për të fituar besimin e anëtarëv e të PD.

Se çfarë vendimi do të marrin të tjerët për të kandiduar apo jo, ajo nuk ka lidhje me mua. Çdo votë e anëtarëve të Këshillit Kombëtar do të tregohet para kamerave, transparenca është absolute. Edi Rama shpikte rivalë për veten e tij, këto kërkojini atje. Me Sali Berishën nuk ka kështu."

Pas zgjedhjeve në degë dhe të strukturave drejtuese, Berisha do të përqëndrohet te opozita në Kuvend.

Për këtë theksoi se do të kërkojë ndryshimin e kodit zgjedhor.

"PD konsideron emigracionin dhe qëndrimin ndaj tij. Kuvendi vendosi që rikthimi i votës për diasporën dhe emigracionin është kusht për zgjedhjet në Shqipëri. Shqipëria është vendi i vetëm në Europë dhe botë që nuk lejon emigracionin të votojë. Emigracioni dhe diaspora kontribuojnë më shumë se në çdo vend tjetër në rrafshin ekonomik. Edhe kjo është një çështje e madhe e interesit tonë kombëtar."

Ish-kryeministri e shmangu pyetjen e gazetarëve për akuzat e një marrëveshje Rama-Basha në Dhërmi për kodin zgjedhor, por u kujdes të mos e kalonte pa përgjigje vendimin e GJKKO të ditës së sotme për konfiskimin e pronave të deputetit demokrat Kasem Mahmutaj.

"Ajo që thoni ju është ë vërtetë, bëhet fill pas Kuvendit dhe në një ditë pushimi. SKAP-i është i partisë, siç e tha Edi Rama, jemi për zbatimin e ligjit."

Nga ana tjetër Berisha iu përgjigj edhe një herë qëndrimit të SHBA për shmangien e takimeve me të.

"Loja me kukulla nuk është një lojë serioze. E majta shqiptare, e majta e SHBA dhe mbarë botës nuk do mund ti caktojë kryetarin dhe udhëheqjen forcës politike demokratikle konservatore të Shqipërisë, kjo nuk mund të ndodhë."

30 prillin Berisha e quajti si Kuvendi që finalizoi Foltoren dhe bashkimin e demokratëve, duke vlerësuar transparencën e procesit të zgjedhjes së Këshillit të ri Kombëtar.

Madje të pakënaqurit i ftoi për rinumërim të votave.