Myzyraj: Raporti i sotëm flagrant, unionet e shtypit nuk kanë reaguar, gazetarët të mblidhen

I ftuar në edicionin e lajmeve, gazetari i RTV Ora, Isa Myzyraj u shpreh se raporti i sotëm i “Reporterëve Pa Kufij” ishte flagrant dhe se unionet e gazetarëve duhet të kishin reaguar.

Ai tha se kë duhet një tryezë për median pas këtij raporti dhe se këto raporte ndikojnë jo vetëm në lirinë e shtypit, por edhe në procesin e integrimit të vendit dhe proceseve evropianizuese.

Myzyraj: Rasti i sotëm ishte flagrant dhe Unioni i Gazetarëve apo Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë janë organizata që nuk kanë reaguar për këtë raport. Ky ishte raport më i rëndë për lirinë e medias në vendin tonë. Ndërkohë që duhet një tryezë urgjente me median ditën e sotme. Gazetarët duhet të ishin takuar urgjent për të kuptuar se çfarë nuk po shkon.

Këto raporte ndikojnë jo vetëm në lirinë e shtypit, por edhe në procesin e integrimit të vendit dhe proceseve evropianizuese. Organizatat e huaja janë duke sjellë para pafund në vendin tonë, por këto organizata nuk janë duke bërë asgjë. Raporte të tilla do të sjellin më pak para në vendin tonë, pasi shihet se nuk po bëhet asnjë punë.

Myzyraj shtoi se ligji që ia lejon pronarit të një medie të ketë 100% të pronësisë së një medie duhet të ndryshojë.

Myzyraj: Ligji që ia lejon pronarit të një medie të ketë 100% të pronësisë së një medie duhet të ndryshojë. Një medie nuk mund të ketë vetëm një pronarë, por disa aksionerë. Gjëja tjetër është që gazetarët duhet të organizohen në mënyrë të pavarur, si në sindikata dhe shoqata.